Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka sqaruar përmes një komunikate për media se eksporton energji elektrike kur ka teprica, të cilat shfaqen kryesisht gjatë orëve të vona të natës.
KEK-u ka thënë se kur shfaqen teprica, ato fillimisht i ofrohen Korporatës Energjetike të Shqipërisë (KESH), derisa pjesa tjetër e mbetur, plasohet në treg përmes tregtarëve të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftojmë opinionin se tregtimi i energjisë elektrike (eksporti) nga KEK-u bëhet kryesisht kur paraqiten tepricat pasi të përmbushen nevojat e konsumit vendor. Tepricat zakonisht shfaqen (natën) në intervalin kohor nga ora 01:00 deri në orën 07:00 eventualisht deri 09:00 (rrallë herë). Bazuar në procedurat e brendshme, KEK fillimisht deklaron prodhimin e energjisë elektrike për konsum vendor, pra për nevojat e konsumit të Shërbimit Universal si dhe mbulimin e humbjeve. Si rrjedhojë, në rastet kur shfaqen tepricat, fillimisht i ofrohen KESH-it (shkëmbim) dhe pjesa e mbetur e energjisë (nëse mbetet), atëherë plasohet në treg përmes tregtarëve të licencuar nga ZRRE-ja”, ka sqaruar KEK.
Sipas kompanisë, energjia eksportohet me çmim më të ulët sesa kur importohet.
“Ju bëjmë me dije se çmimi i importit të energjisë elektrike zakonisht është më i lartë në raport me çmimin e eksportit të energjisë elektrike, kjo për faktin se nevoja për import të energjisë elektrike shfaqet në kohën e pikut apo në kohën e konsumit maksimal (ditën), pra kohën kur ka mungesë të energjisë elektrike vendore por edhe në vendet e rajonit e më gjerë. Ndërsa eksporti i energjisë elektrike nga KEK-u zakonisht realizohet në kohën kur ka teprica të energjisë elektrike dhe ajo zakonisht bëhet natën. Vlen të theksohet se gjatë kohës së natës përveç se shfaqen teprica të energjisë elektrike vendore, gjithashtu shfaqen tepricat edhe tek vendet e rajonit dhe më gjerë”, përfundon komunikata.
Edhe
KESCO dhe KEK-u me marrëveshje për të mos e shtrenjtuar rrymën
Sqarimi i KEK-ut vjen pas raportimeve në media se ka blerë energji prej kompanisë GEN me zyrë në Beograd në vlerë prej 4.2 milionë euro për muajt dhjetor 2021 – janar 2022, ndërsa ka shitur energjie tek e njëjta kompani rreth 105 mijë euro.
Kompania GEN është në qendër të një skandali të pastrimit të parave në Slloveni, ku dyshohet se të jetë përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili e ka mohuar çdo akuzë.
-
Kerolli: Më udhëzuan ta vazhdojmë tregtinë e energjisë edhe pse e dinin se kompania ishte e palicencuar
-
Llumnica: KEDS-it duhet t’i shkëputet kontrata
-
KEK-u në dy ditë të ardhshme do të operojë veç me një bllok, akuzohet për keqmenaxhim
-
Faza tranzitore prej dy muajsh furnizim nga KEK-u kundërshtohet nga OEK-u