Kohëve të fundit, reduktimet e energjisë elektrike janë shpeshtuar dhe arsyetimet për këtë gjë janë të ndryshme.
Derisa ditë më parë operatorët fajësuan njëri-tjetrin për mosprodhim e mosimportim, kësaj radhe ndërprerja është bërë për shkak të një prishje.
KOST-i ka bërë të ditur se ka dalë nga furnizimi transformatori T2 për më pak se dy orë shkaku i një telashi, por qytetarët flasin për ndërprerje më të gjata, raporton KTV.
Sipas njoftimit të KOSST-it, ekipet, gjatë gjithë ditës, kanë qenë në terren në mënyrë që ta gjejnë shkaktarin e kësaj ndërprerjeje.
Ata thanë se është shkaktuar lidhje e shkurtër në fushën e largpërçuesit 35kilovoltësh Fushë Kosova, që është aset i KEDS-it e që ka çuar në rënien e një transformatori të rëndësishëm.
Ditë më parë, Qeveria lëshoi një reagim ku kërkoi që qytetarët të mos lihen pa rrymë, por, pavarësisht kësaj, sidomos në zonat rurale, ka pasur ankesa më të theksuara për reduktime më të gjata.