Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kearns: Mbështetja e Paunoviqit për spastrimin etnik është njollë mbi Qeverinë e Serbisë

Alicia Kearns

Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë.

Përmes një reagimi publik, Kearns tha se qëndrimi i Paunoviqit përbën “një njollë të rëndë mbi Qeverinë e Serbisë”. Ajo theksoi se brezi i njerëzve që sot janë në të tridhjetat i kujton ende mizoritë e kryera nga forcat e Sllobodan Millosheviqit ndaj popullsisë së Kosovës dhe familjeve të tyre.

Sipas deputetes britanike, çdo përpjekje për të justifikuar ose glorifikuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund ta bëjë botën të harrojë atë që ka ndodhur.

“Mos harroni kurrë”, përfundoi Kearns në mesazhin e saj.

Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.

Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë një interviste në televizionin serb “Kurir”.

Edhe Kosova padit Paunoviqin pas deklaratës për “spastrimin etnik” Arbëri Kosova padit Paunoviqin pas deklaratës për “spastrimin etnik”

“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”, ka thënë ajo.

Deklarata e Paunoviqit është dënuar në Prishtinë, në Bruksel e edhe në Serbi. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklarata nxitëse e në kundërshtim me vlerat njerëzore. Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi ka premtuar inicim të shkarkimit të saj e disa parti opozitare në Beograd, kanë kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e Paunoviqit. Ndërkohë, zv.shefi i Qeverisë në këtë vend, Ivica Daçiq e ka mbrojtur atë.