Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar konferencën “Rruga drejt marrëveshjes finale Kosovë-Serbi”, në të cilën është prezantuar raporti “Marrëveshja e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mundësitë dhe sfidat”.
Në këtë raport thuhet se do të ishte mirë që përgjatë fazës finale të konkludimit të një marrëveshjeje, të dyja palët t’i implementonin disa nga marrëveshjet tanimë të arritura që rregullojnë probleme që prekin përditshmërinë e qytetarëve të Kosovës, siç janë marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave, marrëveshja për energjinë si dhe marrëveshja për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal, raporton Koha Ditore.
Sipas këtij raporti kohëve të fundit vërehet një lloj shtytje nga bashkësia ndërkombëtare ndaj të dyja vendeve që të rikthehen në dialog për ta finalizuar marrëveshjen.
Megjithëkëtë thuhet se imponimi i agjendave të caktuara për negocim që do të ishte kundër vullnetit të Kosovës, do të ishte kundër vetë logjikës së procesit paqësor dhe do ta diskreditonte fuqishëm të gjithë procesin.
Konferenca ku është prezantuar ky raport synon nxitjen e dialogut të brendshëm rreth së ardhmes së procesit Kosovë-Serbi. Në kuadër të kësaj konference është prezantuar edhe raporti “Përfshirja e perspektivës gjinore në dialogun Kosovë-Serbi”.
Edhe
Shoqëritë civile në Kosovë e Serbi kërkojnë përkushtim serioz në dialog për marrëveshje finale
Gjithashtu në këtë konferencë do të mbahen edhe dy panele të diskutimit.
Në panelin e parë do të diskutohet tema “Marrëveshja e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë dhe sfidat” kurse në të dytin do të diskutohet tema “Roli i grave në proceset paqebërëse”.
