Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes dy shteteve në kufijtë aktualë.
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, në të cilin u analizua procesi i deritanishëm i dialogut, raporton KTV.
Ish-kryenegociatorja e bisedimeve teknike me Serbinë, Edita Tahiri, ka kritikuar pretendimet për ndryshimin e kufijve.
Kurse, sipas kryeredaktorit të Kohës Ditore, Agron Bajrami, marrëveshja finale mes dy shteteve nuk mund të arrihet nga personat që aktualisht janë duke e zhvilluar dialogun.
Sipas raportit të KDI-së, moszbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani, ndikon në finalizimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa u kritikua edhe mospërfshirja e serbëve në këtë proces.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar që nga vendosja e taksës nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.