Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kastrati: Në Shipashnicë u dëmtua Kisha Ortodokse

Në Shipashnicë të Poshtme është dëmtuar një Kishë ortodokse, derisa njoftohet se janë shkatërruar hapësirat e brendshme të saj. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se veprime të tilla vandale janë të papranueshme.

“Besimi në Zot, praktikimi i fesë janë çështje shumë personale dhe e drejtë për ta ushtruar pa cenim apo rrezikim. Është vlerë e shoqërisë tonë që ta kultivojmë tolerancën, respektin dhe emancipimin në mënyrë që prosperiteti të mos mbetet shënjues i zbrazët. Praktikimi i fesë është e drejtë thelbësore e garantuar me ligj. Ne duhet të jemi të hapur ndaj besimeve të ndryshme në shoqërinë tonë sepse ky është parakusht i barazisë”, ka shkruar ai.

Si institucione, Kastrati ka thënë se kanë për detyrë të kujdesen që secili t'i ushtrojë të drejtat elementare pa dallim të fesë, etnisë e vendbanimit.

“Huliganizmi ndaj objekteve fetare është i papranueshëm. Është e rëndësisë vitale që komunitetet e ndryshme të gjejnë të përbashkëtat e tyre në vend se të ndahen nga dallimet e presupozuara që mund t'i kenë”, ka shkruar tutje ai.

Artikuj të ngjashëm