Rrëzimi i një shandani në një kishë ortodokse jashtë funksioni në fshatin Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës ka alarmuar autoritetet e vendit. Teksa kryetari i Komunës e ka quajtur shkatërrim të hapësirave të brendshme, Lista Serbe ka thënë se në Kosovë bëhen përditë sulme ndaj serbëve dhe kishave ortodokse serbe. Megjithatë, Policia ka thënë se s’është vënë re asnjë dëm tjetër pos rrëzimit të mbajtëses së qirinjve.
Të hënën, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka quajtur veprim vandal shkatërrimin e “hapësirave të brendshme të kishës”.
“Veprime të tilla vandale janë të papranueshme. Besimi në Zot, praktikimi i fesë janë çështje shumë personale dhe e drejtë për ta ushtruar pa cenim apo rrezikim. Është vlerë e shoqërisë tonë që ta kultivojmë tolerancën, respektin dhe emancipimin, në mënyrë që prosperiteti të mos mbetet shënjues i zbrazët. Praktikimi i fesë është e drejtë thelbësore e garantuar me ligj. Ne duhet të jemi të hapur ndaj besimeve të ndryshme në shoqërinë tonë, sepse ky është parakusht i barazisë. Si institucione, e kemi për detyrë të kujdesemi që secili t'i ushtrojë të drejtat elementare pa dallim të fesë, etnisë e vendbanimit. Huliganizmi ndaj objekteve fetare është i papranueshëm. Është e rëndësisë vitale që komunitetet e ndryshme të gjejnë të përbashkëtat e tyre në vend se të ndahen nga dallimet e presupozuara që mund t’i kenë”, ka shkruar ai në Facebook.
Të martën ka reaguar edhe Lista Serbe. Kjo parti ka thënë se dënon “përdhosjen” e kishës. Ajo ka kërkuar nga autoritetet t’i gjejnë përgjegjësit dhe të dënohen, ndërsa ka theksuar se “pavarësisht të gjitha përpjekjeve të liderëve kosovarë që ta ngjyrosin me nuanca rozë jetën në Kosovë e Metohi dhe marrëdhënien karshi komuniteteve joshumicë, sulmet e përditshme ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe janë fatkeqësisht realiteti i jetës që po i demanton për çdo ditë, ndërsa jetën e popullatës tonë e bën më të vështirë përpara syve të botës, e cila mjerisht po hesht”.
Kjo parti ka thënë se ky ishe sulmi i 12-të sivjet në objektet e “kishave ortodokse serbe që me gjasë do të mbesin pa epilog dhe pa dënim të përgjegjësve”.
Ndërkaq, në një sqarim të Policisë së Kosovës, thuhet se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është përpiluar një shënim zyrtar për rastin, për të cilin ka thënë se s’është vënë re asnjë dëmtim pos rrëzimit në dysheme të një shandani (mbajtës qirinjsh).
Rastin në Polici e ka paraqitur një grua që ka thënë se është mirëmbajtëse e kishës, ndërsa Policia ka thënë se nga vendi i ngjarjes është vënë re se qe një kohë të gjatë kisha është jashtë përdorimit për shkak të vjetërsisë dhe rrezikut nga shembja.
Edhe
Kastrati: Në Shipashnicë u dëmtua Kisha Ortodokse
“Policia e Kosovës me përkushtim do të punojë për zbardhjen e këtij veprimi”, thuhet në përgjigjen e Policisë për KOHËN.
Çështja e raportimeve nga ana e Serbisë për “sulme ndaj kishave ortodokse serbe në Kosovë” nxiti ditë më parë edhe reagimin e liderëve të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, në një letër për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë (UNESCO) duke i shprehur katër kërkesa. Ndër to ishte theksuar se monumentet në Kosovë s’janë në rrezik. “Është vlerësim i pavarur dhe profesional i institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara”, kanë shkruar ata.
Ndërkaq, letrën e tyre, Qeveria e Serbisë e ka konsideruar tentim për fshirje të trashëgimisë kulturore serbe e fabrikim të identitetit. Në reagimin e Ministrisë serbe të Kulturës dhe Informimit, thuhet se përshkrimi i gjendjes së trashëgimisë kulturore është dëshmi se e njëjta është duke u përdorur për qëllime politike.
-
Lista Serbe kërkon mbrojtje me garanci ndërkombëtare: Objektet fetare të popullit serb po shkatërrohen
-
Zyra e BE-së në Kosovë reagon për varrezat e dëmtuara në Kishnicë
-
Policia hedh poshtë pretendimet e Dioqezës Rashkë-Prizren për “presion, diskriminim e frikësim të serbëve”
-
Çanak: Kisha serbe është mashtrim i pastër