Rritja e rasteve me COVID-19 ka rritur në mënyrë rapide numrin e pacientëve të hospitalizuar.
Kjo rritje pothuajse ka prekur fundin e kapaciteteve spitalore, që më shumë se një vit ishin në dispozicion për këta pacientë.
Janë se paku tri klinika që tashmë nuk kanë ndonjë shtrat të lirë për pacientët e rinj që mund të hospitalizohen. Klinika Infektive, Mjekësia Sportive e Klinika e Pulmologjisë tashmë janë të stërmbushura.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se është duke punuar që të rriten kapacitetet e shtretërve edhe më tej. Në SHSKUK e spitale rajonale, sipas përgjigjes së këtij institucioni, mund të shtohen edhe rreth 1.000 shtretër.
Por, Ministria është duke u përgatitur për rritjen e numrit edhe për 500-1000 shtretër për nevoja të pacientëve me COVID-19.
Nga e hëna, në SHSKUK po ofrohen vetëm shërbimet emergjente, ndërsa rastet elektive që presin, do të rifillojnë pas përmirësimit të situatës epidemiologjike.
Kundër ndërprerjes së këtyre shërbimeve është Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës së pacientëve.
“Për ne, zgjidhja do të ishte intervenimi i FSK-së, në ndërtimin e një spitali fushor, çdo veprim tjetër në kuadër të këtij sistemi shëndetësor konsiderojmë që është improvizim, dhe se e dëmton shëndetin publik në raport me sëmundjet e tjera”, tha Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve (PRAK).
KOHA e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, nëse do të bëhet zgjidhje jashtë spitaleve publike ose nëse do të improvizojnë spitale të përkohshme në hapësira të mëdha të bizneseve që i posedojnë ato.
Ky institucion ka thënë se janë duke i shqyrtuar opsionet se si do të bëhet rritja e numrit të shtretërve, por nuk kanë dhënë detaje se për çfarë opsionesh bëhet fjalë.
Punëtorët shëndetësorë kanë ndërprerë pushimet vjetore e po punojnë me orare të zgjatura. Por, për muajin gusht siç ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë ata nuk do të marrin shtesa mbi pagë.
Një gjë e tillë pritet të bëhet nga muaji i ardhshëm.
Qysh prej fillimit të pandemisë ishte premtuar ndërtimi i spitalit për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Qeveria Hoti kishte planifikuar që objektin skelet të emergjencës së re ta improvizonte për rastet me COVID-19, por tenderi ishte anuluar pasi Ministrinë e Shëndetësisë, e mori në menaxhim ministri Arben Vitia me arsyetimin se kishte parregullsi të mëdha në tenderët për këtë objekt.