Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari, ka kërkuar rinumërim të të gjitha fletëvotimeve, pas zhvillimeve ku po dyshohet për manipulimin e votave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hajdari përmes një postimi në Facebook ka shtuar se qytetarët nuk duhet të kenë dyshime se vota e tyre nuk ka shkuar në adresën ku ata kanë dashur.
“Skandalet e fundit në lidhje me manipulimin e vullnetit qytetar, të shprehur përmes votës, nuk lënë asnjë rrugë tjetër përveç rinumërimit total të votave të kandidatëve për deputetë. Ajo çka është jashtëzakonisht e rëndësishme është që qytetarëve nuk guxon t’iu mbetet dyshimi se votat nuk u kanë shkuar në adresën e dhënë prej tyre. Kjo ka shumë më shumë rëndësi sesa kush, sa, e prej cilës parti bëhen deputetë’’, shkroi Hajdari.
Ai ka kërkuar që rinumërimi të bëhet edhe në fletëvotime dhe në mënyrë transparente, pasi vullnet i qytetarëve, sipas tij, veçse është shtrembëruar.
“Rinumërimi duhet bërë, me patjetër, në mënyrë transparente e me rinumërim të fletëvotimeve, jo vetëm të formularëve sepse kjo nuk prodhon asgjë të re dhe, fatkeqësisht, nuk e sjell rezultatin e vërtetë të zgjedhjeve. Rinumërimi me skaner do të lehtësonte shumëçka, por nuk është metoda e vetme. Vullneti qytetar është shtrembëruar dhe kjo vetëm se do ta riprodhojë krizën dhe mosbesimin e qytetarëve se ndikimi i tyre me votë është me të vërtetë i mundshëm e i çmuar. Në Kuvend hyhet duke të besuar qytetarët, jo duke i blerë komisionerët. Për ta ruajtur këtë besim substancial te demokracia, rinumërimi transparent i fletëvotimeve është i domosdoshëm, sado që zgjat’’, shtoi Hajdari.
-
Haxhiu do t’i drejtohet Supremes për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së
-
Haxhiu kërkon rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të PDK-së
-
Përfundon rinumërimi
-
Zeqiri: Vjedhja e votave ishte e koordinuar, lidhja me kandidatët më e vështirë për t’u dëshmuar
-
Iu hoqën 743 vota, Haliti: E ka bërë dikush që ka pasur qejf të bëhem deputet