Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk e di se kush ia ka shtuar 743 votat të cilat iu hoqën pas procesit të rinumërimit. Haliti ka thënë se me siguri është dikush që ka pasur dëshirë që ta shoh Halitin si deputet.
Haliti në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se gjithmonë ka pasur abuzime me votat.
“Varësisht se kur kanë ndodhur zgjedhjet dhe varësisht në cilat rajone, mendoj që ka pasur gjithmonë abuzime. E kam ngritë publikisht në media e parlament por iu ka konvenuar kështu me mundësi shtesë dhe me prioritet të veçantë për një kategori kandidatësh. Nuk e di. Me siguri dikush që ka pas qejf që unë të bëhem deputet. Nuk mendoj që m’i ka dhënë dikush votat që nuk më respekton e nuk më do. Eventualisht, nëse ka pasur synim të na nxjerrë qeveria keq në këtë variant, sepse kjo nuk është mirë”, ka thënë Haliti
Haliti ka deklaruar se nuk e njeh asnjë komisioner në Prizren se nuk mendon që ka qenë aksidentale që ia kanë shtuar votat por që nuk e di pse ka ndodhur.
“Kandidatët nuk i numërojnë votat. Unë nuk e njoh asnjë komisioner në Prizren, asnjë. Në fushatë dy ose tri herë kam qenë në tubime por nuk e njoh asnjë komisioner në Prizren. Nuk kam mundur të ndërhyjë. Nuk e besoj se është aksidentale por nuk e di pse m’i kanë shtuar këto vota”, ka deklaruar mes tjerash Haliti.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së ka ngritur dyshime se e tërë kjo është skenar i Qeverisë së Kosovë në mënyrë që të shtyhen afatet rrjedhëse e të shtohet pastaj presioni ndaj opozitës për ta votuar qoftë edhe pa marrëveshje presidentin/en.
“Përderisa diskutohet tani se rinumërimi i votave do të bëhet deri në mesin e shkurtit dhe pastaj fillon debati për çështjen e presidentit, do të thotë që ka një interesim që të zvarritet çështja e konsitutimit të kuvendit e zgjedhjes së qeverisë. Kur të përafrohet zgjedhja e kandidatit për president, të ketë mundësi të shtohet presioni ndaj partive opozitare që të hyhet në koalicion ose për ta votuar me një marrëveshje ose pa marrëveshje kandidatin për president a presidente. Dyshoj që është një ndër skenarët e qeverisë. E mësuam tashmë këtë lojë”, ka thënë Haliti
Haliti ka thënë se si parti, nuk ka qenë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, mirëpo ai theksoi se nuk mund të fajësohet kryetari i kësaj partie Bedri Hamza sepse ai e mori vonë këtë pozitë. Sipas tij, përgjegjësia mbetet në proces dhe siç potencon “e dijmë për secilën njësi organizative sa ka punuar e vepruar”.