Arbëri

Kandidati i PDK-së Naim Fetahu, shpalos programin ekonomik

Foto: Koha / ilustrim

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, nëpërmjet një konference ka shpalosur programin e tij ekomomik për këtë komunë.

Ai ka thënë se nëse fiton besimin e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 15 marsit, do t’u bëjë vend bizneseve që kanë ikur nga Podujeva.

“Nga Komuna e Podujevës kanë dalë shumë sipërmarrës të suksesshëm dhe biznese të fuqishme, të cilat në mungesë të shërbimeve të përshtatshme komunale janë detyruar të zhvendosen nga komuna jonë nëpër pjesë të tjera të Kosovës në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Lipjan dhe në Parkun industrial në Drenas. Si pasojë e një klime të përshtatshme biznesore të shkaktuar prej keqqeverisjes bizneset llapjane në vend që të qëndrojnë në Llap për të siguruar punësim për banorët e komunës tonë, ato janë larguar nga komuna jonë”, ka thënë Naim Fetahu, përcjell Koha Ditore.

Në kuadër të programit të tij, kandidati i PDK-së ka thënë se do të ndërmarrë reforma rrënjësore të cilat do të ndryshojnë mjedisin biznesor, duke nxitur investime të reja private dhe investime të huaja.

“Po ashtu do të ndërtohet një zyre e posaçme për biznesin, e cila do të promovojë Komunën e Podujevës si destinacion të veçantë për investime të huaja. Kjo zyrë po ashtu do të shërbejë si partnere e biznesit të Llapit duke u përpjekur që të gjejë tregje të reja në komuna të tjera të vendit dhe jashtë vendit, duke e ofruar gjithë potencialin që e kemi, por edhe mërgatën tonë si një potencial i jashtëzakonshëm për të investuar në komunën tonë”, tha ai.

Fatahu ka përmendur edhe të mërkurën ndërtimin e një zone industriale, zyrën “one-stop-shop” dhe një sistem të subvencionimit të lehtësimit të pagesave të tregtarëve të vegjël.

Ndërsa, ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili është shef i Grupit të deputeteve të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Naim Fetahu e ka një program profesional, racional, i cili është adekuat për Komunën e Podujevës. Sipas tij, buxheti i Komunës nuk do të rritet me taksa e ngarkesa, por do të rritet me zhvillim ekonomik.