Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, të mërkurën e ka shpalosur programin për shëndetësinë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se për 20 vjet, ajo që e ka rënduar më së shumti jetën e qytetarëve ka qenë sektori i shëndetësisë.
Sipas tij, qytetarët e Podujevës kanë marrë shërbime të shtrenjta kryesisht në sektorin privat.
“Spitali nuk ka arritur të funksionalizohet, kemi pasur mungesë të pajisjeve, mungesë të barnave dhe shërbime të dobëta shëndetësore. Stafi shëndetësor bashkë me atë komunal, me ish-kryetarin nuk kanë qenë të interesuar dhe nuk e kanë pasur në fokus qytetarin. Më 2018, 37 mijë euro janë shpenzuar për dreka dhe darka, ndërsa vetëm 32 mijë euro janë bërë investime kapitale në shtëpinë e shëndetit”, është shprehur Naim Fetahu.
Në kuadër të programit të tij, ai ka premtuar se do të funksionalizojnë spitalin e qytetit, do të investojnë në rrjetin e QMF-ve nëpër fshatra dhe në të gjithë territorin e komunës, do të investojnë në pajisje, në laboratorë dhe do të angazhohen që analizat të bëhen në spital, që qytetarët të mos kenë nevojë të paguajnë shërbime të shtrenjta jashtë spitalit. “Gjithashtu edhe Stomatologjinë do ta bëjmë funksionale. Ka thënë se për t’i realizuar këto “e kam mbrapa ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin dhe mjekun Skënder Murati, që do të jenë përkrah meje edhe pas 15 marsit”.
Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në këtë konferencë ka thënë se qytetarët e Podujevës përballen me shërbime të dobëta shëndetësore dhe se QMF-të e ambulancat përballen me mungesë të pajisjeve duke e lënë personelin të pafuqishëm për t’u përballur me problemet e qytetarëve.
“Vitin e kaluar unë bashkë me kryetarin Fetahu dhe me akterët tjerë jemi angazhuar që spitali i Podujevës të fillojë, të krijohet projekti dhe të fillojë të ndërtohet. Unë jam jam këtu edhe si bashkëgarantues që spitali i Podujevës do të funksionalizhet me Naim Fetahun. Ne në Ministrinë e Shëndetësisë e kemi bërë një hulumtim me ekspertë zviceranë, në atë kohë në Komunën e Podujevës kemi nxjerr disa të dhëna”, ka deklaruar ish-ministri i Shëndetësisë.
“E para, Komuna e Podujevës ishte e 35-ta sa i përket infrastrukturës komunale, pra një komunë mjaftë e dobët sa i përket infrastrukturës së shëndetësisë, e 32-ta sa i përket konsultimeve klinike nga profesionistët shëndetësorë dhe kjo i bie që ata nuk kanë as pajisje dhe nuk janë në gjendje të japin konsultime profesionale”.