Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, ka premtuar se do të mbështesë të rinjtë, kategoritë e dala nga lufta dhe gratë. Ai gjatë një konference në përmbyllje të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, ka thënë se gjysma e qeverisë së tij do të udhëhiqet nga gratë, derisa ka premtuar nga një të punësuar për 950 familje me asistencë sociale.
“Llapjanët në qendër të qytetit, nëpër lagje të ndryshe dhe të gjitha fsatrat e kanë vuajtur në lëkurën e tyre keqmenaxhimin. Gjatë këtyre ditëve, po veçanërisht gjatë javës së fundit ju të dashur llapjanë keni pasur mundësi t’i shikoni dhe vlerësoni kandidatët që i kemi përballë. Tani është në dorën tuaj atë që përfaqëson më së miri”, ka thënë Naim Fetahu gjatë kësaj konference për media, transmeton KOHA.
Ai përveç premtimeve nuk ka lënë pa folur edhe për dy kundërkandidatët e tij.
“Unë për dy gjëra jam i sigurt: Llapi si një qytet me të kaluar të lavdishme që ka ditur të kap armën kur ka qenë e nevojshme, asnjëherë votën nuk do t’ia besoj dikujt që bën thirrje në dhunë brenda shqiptarëve. Dikujt që fton llapjanët të kapin stupcat kundër njëri-tjetrit. Llapjanët nuk do të votojnë dikë që pasurinë e tyre e merr dhe e dërgon në shtëpinë e tyre. Ju e dini për kë e kam fjalën, për atë që deri para 6 muajsh Albin Kurtin e quante të kuq dhe armik të Kosovës ndërsa sot garon me flamurin e tij”, është shprehur Fetahu. “Çështja e dytë për të cilën jam i sigurt është edhe kjo, që llapjanët janë lodhur me rrena 20-vjeçare, llapjanëve u është keqpërdorur besimi i tyre në emër të ndryshimit për punë të këqija. Po jua marrë vetëm një shembull të këtij keqpëdorimi dhe kësaj rrene të madhe të LDK-së. Gjatë luftës kemi pas spital ushtarak, ku Skenderi (Murati v.j.) me ekipën e tij ka ndihmuar me qindra llapjanë. 20 vjet rresht pas luftës LDK nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë një spital në Podujevë. Pa pikën e marres ish çuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashkë me nënkryetarin e Komunës e premtuan edhe një herë një projekt për spitalin në kohë fushate”.
Sipas kandidatit të PDK-së, gjatë pandemisë komuna nuk pati mundësi as minimale t’iu dalë në ndihmë banorëve në mungesë të spitalit.
“Kjo është qeverisja dhe modeli i LDK-së, premto dhe gënje sa më shumë. Por edhe këtij modeli i erdhi fundi. Nuk ka më rrena në Llap. Unë dua të udhëheq Podujevën për shumë arsye. Kategoritë e dala nga lufta, veteranët, familjet e dsëhmorëve, invalidët e luftës e të burgosurit politikë të cilët janë injoruar për 20 vjet meritojnë më mirë. Të rinjtë llapjanë të cilët sot janë të pa shpresë dhe mezi po presin të largohen nga Podujeva, meritojnë më mirë. Unë premtoj punë dhe perspektivë për ta. Sipërmarrësit, gastronomët të cilët sot janë punëdhënësit më të mëdhnj në qytetin tonë meritojnë më mirë”, ka theksuar Fetahu. “Unë premtoj mbështetje konkrete për ta dhe do t’i kem aleat kryesor për zhvillimin e Podujevës. Mësimdhënësit llapjanë të cilët janë larguar nga puna për 20 vjet në mungesë të një libreze partiake meritojnë më mirë. Gruaja llapjane e cila është diskriminuar për 20 vjet në Llap meriton më mirë. 50 për qind e drejtorive do të jenë të udhëhequra nga gratë. 950 familje me asistencë sociale në Podujevë do të kenë nga një të punësuar gjatë mandatit tim. Ky është premtim”.
Fetahu gjithashtu ka thënë se infrastruktura në Podujevës do të ndryshojë rrënjësisht, duke premtuar rrugë, shkolla, trotuare, trafik urban e treg modern.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka dhënë arsyet pse duhet votuar kandidati i tyre.
“Së pari e ka programin më të mirë dhe nuk është një program i cili është i ndërtuar mbi mashtrime, rrena dhe propagandë lokale. Por, është programi më i mirë për zhvillimin e Podujevës. dhe së dyti Naim Fetahu e ka përgatitje më të mirë, si ekonomist, si intelektual, si njeri që ka udhëheq me institucione të rëndësishme të ekonomisë për ta zhvilluar Komunën e Podujevës dhe për të qenë adresë e zhvillimit të Podujevës”, është shprehur Hoxhaj. “Në këto zgjedhje janë tre kandidatë, por janë dy modele qeverisëse. Një model që qytetarët llapjanë e kanë parë në 20 vitete e fundit, i cili ka të bëjë me korrupsionin, uzurpimin dhe keqqeverisjen dhe një model i dytë i së ardhmes i cili ka të bëjë me zhvillimin, planifikimin dhe me krijimin e vendeve të reja të punës dhe ky model i qeverisjes në këto zgjedhje është Naim Fetahu”.