Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Fetahu: Kategoritë e luftës në Podujevë do të kenë mbështetjen time

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, sot ka shpalosur programin e tij për politikat sociale.

Ai premtoi se gjatë mandatit të tij, vëmendje të veçantë do t’i kushtojë kategorive të dala nga lufta, pleqve dhe të rinjve.

Fetahu tha se do të ndërtojë shtëpi për kategoritë e luftës, shtëpi të pleqve dhe rinisë për largim nga veset e këqija.

Në një konferencë për media, kandidati për kryetar të Podujevës, tha se në mandatin e tij për kryetar, gratë do të jenë të përfaqësuara 50 për qind në ekzekutiv.

“Në kuadër të programit tonë, në kontakt me secilin prej këtyre kategorive i kemi dhënë përgjigjet më të mira se si duhet të mbështeten kategoritë sociale. Dua të ndalem tek politikat sociale të kategoritë e luftës. Në komunën tonë, kjo kategori deri më tani ka qenë e pambështetur. Kategoritë e luftës për 20 vite rresht nuk e kanë pasur një zyre të veten. As shoqata, as invalidët, as veteranët. Ne në kuadër të politikave sociale, këto kategori të respektuara të shoqërisë do t’i vendosim në top-prioritet të mbështetjes. Të moshuarit, do të përkujdesemi që kjo kategori që ka kontribuar shumë për zhvillimin e shoqërisë e që kanë qenë të margjinalizuar dhe të lënë anash, të kenë mbështetjen tonë. Për të bërë një pleqëri jo në vetmi. Ne do të ndërtojmë një shtëpi të pleqve për të trajtuar këtë kategori të veçantë”, tha ai.

Vëmendje të veçantë, Fetahu tha se do t’i kushtoi të rinjve, ku u shpreh optimist se ata do t’i largojë nga “veset” e këqija.

“Do të mbështesim rininë tonë të mrekullueshme, do të largojmë nga veset e këqija, si nga droga, alkooli, lojërat e fatit. Do të përpiqemi të krijojmë aktivitete me qëllim që t’i largojmë nga kjo situatë. Me qëllim që t’i kemi afër dhe t’i mbështesim për të bërë rininë tonë në atë që e meritojnë. Një vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë gruas. Në kuadër të programit tonë, ‘Gruaja e Llapit’ që ka dhënë gjitha periudhat kohore kontributin e vet në ditët e vështira për vendin. Ne do të mundohemi që t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Pesëdhjetë për qind e pushtetit do të ndahet me gruan”, tha ai.

Për të mbështetur kandidaturën e Naim Fetahut për kryetar të Podujevës, kishte ardhur deputetja, Valdete Idrizi. Ajo iu kërkoi qytetarëve që të votojnë për të, pasi sipas saj, ai e ka programin më të mirë.

“E ka përgatit një program jashtëzakonisht të mirë, një program që i përgjigjet të gjitha nevojave të qytetarëve. Qysh e tha edhe ky vet është një program që nuk e diskriminon asnjë njeri. Sepse Naimi dhe qeverisja e tij, qytetarët i sheh si qytetarë, e jo numra”, tha ajo.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës mbahen me 15 mars, pas dorëheqjes së ish kryetarit nga radhët e LDK-së, Agim Veliu./ksp/

Artikuj të ngjashëm