Inxhinieri i makinerisë, Florim Shala, mbrëmjen e së martës iu drejtua Policisë së Kosovës, pas dyshimeve që kishte lidhur me një konkurs për mësimdhënës në Lipjan.
Ai pretendon se vendin e punës për të cilin kishte aplikuar e ka zënë një militant i LDK-së, parti në pushtet në këtë Komunë, që sipas Shalës nuk kishte qenë fare pjesë e konkursit me shkrim dhe as me gojë, raporton KOHA.
Shala ka thënë se i vetmi e ka kaluar testin me shkrim dhe testin me gojë, pasi që ishte inxhinieri i vetëm për mësimdhënës të kësaj fushe.
“Me të parë rezultatin Policia e Kosovës e ka hapur rastin ndaj drejtoreshës së Arsimit Elmaze Behlulit dhe zyrtarit ligjor Ismet Haziri ku këta kanë manipuluar me pikët e kandidatëve, ku kandidati në listën e të pranuarve është një kandidat i cili nuk ka marrë fare pjesë në konkursin e shpallur me 24.09 për kuadrot arsimor të vitit shkollor 2020-2021”, ka deklaruar Florin Shala, kandidat për mësimdhënës.
Rreth kësaj çështjeje edhe opozita në Lipjan ka mbajtur konferencë për media për të kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së Arsimit.
“Kërkojmë nga organet kompetente të Prokurorisë ta hetoi këtë rast sepse kemi mbi dhjetëra raste kur komuna e Lipjanit qet në listën e kandidatëve të pranuar, persona të cilët nuk kanë qenë fare pjesë e listës së ngushtë me shkrim por edhe pjesës së ftuar me gojë”, ka thënë Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, Dega në Lipjan.
Në anën tjetër, pas paraqitjes së këtij rasti në Policinë e Kosovës, Komuna e Lipjanit të mërkurën e ka anuluar njoftimin për shpalljen e këtyre rezultateve.
“Në konkursin e fundit të publikuar nga drejtoria e arsimit pas publikimit të rezultateve është vërejtur se janë disa gabime teknike në disa raste dhe menjëherë drejtoria ka anuluar njoftimin derisa të korrigjohet lista komplet dhe të publikohet lista tjetër me përmirësimin e gabimeve”, ka thënë Diamant Bytyqi, zëdhënës i Komunës së Lipjanit.
Sipas opozitës, gabimet e tilla të Komunës janë të qëllimshme dhe për to duhet të jepet përgjegjësi, derisa kanë kërkuar edhe nga kryetari i Komunës që të marrë masa parandaluese për veprime të tilla.