Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punonjësit e Komunës së Lipjanit adresojnë ankesa për koeficientin e pagave

Punëtorët e administratës komunale në Lipjan gjatë këtyre ditëve po ankohen se janë diskriminuar nga niveli qendror me paga për shërbyesit civilë me arsyetim se nuk është marrë për bazë niveli i shkollimit të tyre. Sipas punonjësve, për disa pozita ka edhe zbritje të pagave te zyrtarët e auditimit. Shkaku i kësaj gjatë këtyre ditëve punonjësit kanë organizuar edhe protesta para objektit të komunës me qëllim që niveli qendror t’i marrë parasysh ankesat e tyre. Sindikata e punëtorëve ka paraqitur një ankesë te zyra e personelit në komunë me qëllim që ajo të përcjellët tek niveli qendror për t’i evidentuar disa gabime në paga.

Shemsi Azemi, kryetar i sindikatës së punëtorëve në komunën e Lipjanit ka thënë se sistemi i ri i pagave nuk e përcakton nivelin e shkollimit për zyrtarët, andaj sipas tij kjo e humb motivin e brezave të rinj për shkollim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk janë marrë parasysh përgatitjet shkollore të zyrtarëve komunalë, andaj sikur ai që ka kryer nivelin master dhe sikur ai që ka kryer vetëm fakultet e ka nivelin e njejtë të pagës, pra 365 deri në 370 euro. Pra, pjesa dërmuese e kanë këtë nivel të pagës dhe kjo është shqetësuese pasi që nuk është bërë kategorizimi i tyre edhe me vendet e punës. Prandaj kjo ka nxitur reagimet e punëtorëve sepse kanë kryer shkollime të larta me qëllim që një ditë do të kenë të ardhura më të mira. Prandaj shkaku i kësaj ka pasur edhe protesta gjatë ditëve të fundit nga punonjësit si shenjë pakënaqësie”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, zyra e personelit i ka korrigjuar disa gabime teknike dhe i ka dërguar në nivel qendror, andaj janë në pritje të përmirësimit të tyre.

“Mbetet në muajin e radhës për të parë se a ka ndryshime në paga pasi që kanë thënë se kanë ndodhur disa gabime teknike. Zyra e personelit i ka përmirësuar ato dhe i ka dërguar në nivelin qendror për miratim. Pra shqetësime ka nga zyra e auditorit sepse aty ka zbritje të koeficientit dhe të pagave, por shqetësimi më i madh i punëtorëve është që nuk u është njohur e drejta e shkollimit master”, ka thënë midis të tjerash Azemi.

Edhe punonjësi i komunës së Lipjanit Abedin Bajrami, ka thënë se punëtorët do të organizojnë protesta edhe në të ardhmen nëse niveli qendror nuk i merr për bazë shqetësimet e tyre.

“Ka pasur protesta dhe pritet të ketë edhe të tjera nëse nuk përmirësohen gabimet teknike siç kemi marrë informacione. Pra është shqetësuese mos të rriten pagat e punëtorëve dhe mos të njihet niveli i shkollimit për zyrtarët. Kjo çështje po i nxit të gjithë të largohen nga vendi shkaku i pagave të vogla”, ka kritikuar Bajrami.