Ka përfunduar greva e punëtorëve teknikë në institucionet arsimore pasi Komuna e Prishtinës u premtoi rritje të pagave. Por angazhimi i tyre përmes kompanive private është kritikuar nga njohës të ekonomisë, pasi është vlerësuar se kjo praktikë rrit mundësinë e keqpërdorimit të parasë publike
Disa nga punëtorët teknikë në institucionet arsimore në Prishtinë, të cilët ishin në grevë, do t’i kthehen punës të premten. Drejtoria e Arsimit në kryeqytet njoftoi se ka arritur marrëveshje me punëtorët teknikë të angazhuar nga kompanitë private, duke u premtuar rritje të pagës.
“Me urgjencë kam trajtuar çështjen e grevës së punëtorëve teknikë në objektet shkollore të kryeqytetit. Me këtë rast pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, z. Jusuf Azemi, u pajtuam për ndërprerje të grevës nga nesër, meqë kërkesa e tyre është plotësuar. U dakorduam që të plotësohen kushtet e kërkuara, ku përfshihet rritja e pagave”, ka thënë nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku, e cila ushtron edhe detyrën e drejtores së Drejtorisë së Arsimit.
E, kryetari i Sindikatës të Punëtorëve të Pavarur të Sektorit Publik, Jusuf Azemi, ka thënë për KOHËN se premtimi i Komunës është që në tenderin e ri paga të caktohet 400 euro.
Një pjesë e punëtorëve teknikë që mirëmbajnë objektet e institucioneve arsimore paguhen direkt nga shteti, e një pjesë tjetër merr pagë nga kompanitë private të angazhuara nga Komuna.
Angazhimi i tyre përmes palëve të treta është kritikuar nga njohësi i çështjeve ekonomike Erton Bega. Ai ka thënë se kjo praktikë rrit mundësinë e keqpërdorimit të parasë publike.
“Është një praktikë e paligjshme dhe e pandershme, sepse kjo cenon transparencën fiskale dhe buxhetore, pasi këto paga nuk figurojnë te pjesa e buxhetit për paga, por figurojnë te pjesa e buxhetit për mallra dhe shërbime dhe për këtë arsye Kosova vazhdon të marrë vërejtje në Raportin e Progresit vazhdimisht”, ka thënë Bega.
E për trajtim jo të barabartë ndër vite, juristi Anton Nrecaj ka thënë se Komuna duhet të marrë përgjegjësi.
“Në të njëjtin shërbim, në të njëjtin vend të punës nuk mund të ketë paga të ndryshme. Do të thotë, kjo automatikisht bie ndesh me Ligjin e Punës. Sa i përket pjesës së shërbimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga Ligji i Punës, ky Ligj i Punës ndalon çdo lloj diskriminimi në çfarëdo lloj forme, përfshirë këtu edhe çështjen e pagës”, ka theksuar ai.
Neni 5 i Ligjit të Punës ndalon çdo lloj diskriminimi. Aty theksohet se punëdhënësi është i obliguar që në rastin e punësimit të punëtorëve, për të njëjtin vend pune të përcaktojë kritere dhe mundësi të barabarta.
E në Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi përcaktohet që Avokati i Popullit t’i dalë në ndihmë kësaj kategorie.
“Avokati i Popullit ka autorizim të hetojë ose të veprojë mbi ndonjë ankesë të parashtruar ose me vetëiniciativë (ex-officio) kur ka bazë për të dyshuar se ka ndodhur diskriminimi nga subjektet e sektorit publik”, shkruan në nenin 9.
Për mostrajtimin e barabartë të punëtorëve teknikë, KOHA ka pyetur edhe Avokatin e Popullit, por ai nuk ka treguar nëse është duke e trajtuar rastin.