Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kamerat në autobusët urbanë s’duhet të jenë shqetësim për qytetarët, thotë Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Kosovës (ASHMDHP), përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se ka ngritur shqetësimin e qytetarëve për kamerat e sigurisë të vendosura nëpër autobusët e rinj të “Trafikut Urban”.

Dy drejtorë nga Agjencia, Jeton Arifi dhe Valon Kryeziu, zë shoqëruar nga Premtime Preniqi, zyrtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Komunën e Prishtinës, në orët e paradites së sotme kanë ftuar në takim Halil Mustafën, kryeshef i ‘Trafikut Urban’ dhe Habib Qorrin, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pasi u njoftuan me hollësi rreth sistemit të vëzhgimit me kamera, fabrikisht të instaluara brenda autobusëve të Prishtinës që sapo janë lëshuar në qarkullim, përfaqësuesit e Agjencisë ia shpalosën atyre kriteret e kërkuara sipas ligjit dhe kërkuan që ato të përmbushen në afat sa më të shkurtër, “në mënyrë që udhëtarët që shfrytëzojnë transportin publik të ofruar nga ‘Trafiku Urban’ të kenë të garantuara të drejtat e tyre në privatësi”.

Kryeshefi i ‘Trafikut Urban’, sipas një komunikate për media të ASHMDHP-së, u arsyetua se autobusët, deri më sot, nuk e kanë pasur të ngjitur shenjën paralajmëruese për kamera, pasi që nuk kanë qenë të informuar se diçka e këtillë kërkohet sipas ligjit.

“Ai u zotua që për pak ditë do të ngjiten shenjat paralajmëruese për vëzhgim me kamera në çdo derë të secilit prej autobusëve të rinj, do të merret një vendim, përmes të cilit do të bëhet publik qëllimi, mënyra dhe koha e ruajtjes së të dhënave të regjistruara”, theksohet në komunikatë.

Veç kësaj, ai i siguroi përfaqësuesit e Agjencisë që secila nga gjashtë (6) kamerat e instaluara brenda çdo autobusi kap pamje vetëm brenda hapësirës së autobusit dhe nuk përbën kurrfarë cenimi të privatësisë së kalimtarëve jashtë tyre apo pronave private e publike gjatë rrugëtimit në relacionet e përditshme brenda qytetit.

“Sidoqoftë, për pak ditë, në çdo hyrje të këtyre autobusëve do të ketë të ngjitura shenja paralajmëruese të kamerave, gjersa qasja në të dhënat e regjistruara të udhëtarëve do të jetë shumë e kufizuar”, thuhet në komunikatën e ASHMDHP.