Arbëri

Shumica e bizneseve kanë vendosur kamera në objekte në kundërshtim me ligjin

Të rralla janë shenjat paralajmëruese në objekte biznesore që tregojnë se ato janë të pajisura me kamera vëzhguese. Shenjat mungojnë ani se vendosja e tyre kërkohet edhe në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e edhe në kriteret e miratuara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Agjencia ka inspektuar 87 biznese dhe vetëm tek njëri prej tyre ka gjetur se përmbusheshin kushtet ligjore.

“Të gjitha këto biznese kanë të vendosura kamera, të cilat nuk i plotësojnë kriteret e ligjit e të cilat janë fillimisht nxjerrja e vendimit për qëllimin për të cilin vendosen kamerat, sepse ato sipas ligjit mund të vendosen vetëm për sigurinë e pronës dhe të njeriut, të personave”, ka deklaruar Krenare Sogojeva, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Sogojeva ka përmendur edhe kritere të tjera.

“Është perimetri i caktuar, sepse ato kamera duhet të jenë të vendosura dhe të marrin pamje vetëm brenda hapësirës brenda së cilës ka autoritet vetë biznesi, duhet t’i njoftojë punëtorët me marrjen e vendimit për vendosje të kamerave, ta ketë personin e autorizuar për t’i kontrolluar ato kamera, ta ketë sigurinë e pajisjeve”, tha ajo.

Pronarë biznesesh refuzuan të flasin publikisht për mospërmbushjen e obligimeve ligjore.

Biznese të shumta kanë kamera të vendosura si në hapësira të brendshme ashtu edhe në ato të jashtme. Prapa kamerës së KTV-së ata kanë thënë se nuk janë të njoftuar me obligimet që i kanë.

Por, komisioneria Sogojeva thotë se agjencia po bën përpjekje për t’i informuar pronarët e bizneseve përmes asociacioneve të tyre.

E pozitivisht deri më tani i janë përgjigjur Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, si dhe Oda Ekonomike Amerikane.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosove do të vazhdojë të informojë bizneset lidhur me kornizën ligjore që rregullon përgjegjësitë e tyre për sa u përket mbrojtjes së të dhënave personale dhe shkeljes së privatësisë e kjo përfshin edhe të dhënat e mbledhura përmes sistemeve të monitorimit të sigurisë me kamera”, ka thënë Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Kosovës.

Kriteret kryesore për vendosjen e kamerave nëpër biznese janë vendosja e shenjës paralajmëruese, njoftimi i stafit të kompanisë me shkrim lidhur me vëzhgimin me kamera, xhirimi i kamerave brenda perimetrit të biznesit dhe jo në hapësirë publike.

Deri më tani Agjencia nuk u ka shqiptuar gjoba për kamerat e vendosura kundërligjshëm, ndonëse shkelës të rregullave janë identifikuar si pronarë biznesesh, ashtu edhe përgjegjësit në institucionet publike dhe individë. Mbështetur në ligj, lartësia e gjobave për të tilla shkelje është nga 200 deri në 10 mijë euro.