Arbëri

Kamberi: BE-ja po e toleron Serbinë t’i shkelë të drejtat fundamentale të njeriut

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia po tolerohet nga Bashkimi Evropian derisa ajo po i shkel të drejtat fundamentale të njeriut të parapara me Kushtetutë.

Sipas tij, BE-ja ka ardhur në atë pikë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, “ka arritur ta mashtrojë”.

“Kemi një Serbi që po tolerohet në zemër të Evropës t’i shkelë të drejtat fundamentale të njeriut. Derisa kërkon një superstatus për pakicën e vet këtu në Kosovë, ajo mohon të drejtat fundamentale, flas për të drejtën që është e garantuar me Kushtetutën e Serbisë – e përfaqësimit të barabartë konform strukturës së popullsisë. Kemi një BE të tillë që Vuçiq ka arritur që ta mashtrojë”, ka theksuar ai në “Interaktiv “.

Kamberi ka shtuar se nisma ligjore në Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit amerikan lidhur me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një qasje e re pro tyre.

Ai ka theksuar se lobimi për këtë çështje është bërë me insistim në Washington, derisa ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk e ka pasur të njëjtën qasje ndaj çështjes së shqiptarëve në Luginë. Sipas tij, qasja që BE-ja ia ka dhënë çështjes së të drejtave të shqiptarëve i ka penalizuar vetë këta të fundit.

“Disi jo vetëm në raport me Luginën, por në Ballkan, SHBA ka qenë më e tërhequr dhe rolin vendimtar ia kanë lënë BE-së. Insistimi jonë që çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi nuk ka hasur në mirëkuptim të duhur në BE. Është konsideruar çështje e brendshme e Serbisë, çështje që do zgjidhet përmes anëtarësimit të Serbisë në BE, por Serbia nuk po nxiton për t’u anëtarësuar. Kjo na penalizon, se ata nuk po i harmonizojnë ligjet e brendshme me standardet e BE-së, nuk po respektojnë marrëveshjet dhe nuk ka sanksione ndërkombëtare ndaj tyre”, u shpreh ai.

Të mërkurën mbrëma, 22 janar, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë miratuar një rezolutë, e cila shtyn përpara projektligjin, i cili kërkon nga sekretari i Shtetit që të merret me trajtimin e pakicave në Serbi, veçanërisht shqiptarët.