Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kadiu: Posta ka nevojë urgjente për ristrukturim, do të ulet kostoja e pagave

Fakete Kadiu, ushtruese e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, ka thënë se kjo ndërmarrje publike ka nevojë urgjente për ristrukturim dhe për ulje të shpenzimeve në kategorinë e pagave.

Kadiu ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se brenda 10 muajve të këtij viti, kostoja për paga ka kaluar shifrën prej 7 milionë euro, teksa, siç ka thënë, të hyrat e përgjithshme në të njëjtën periudhë kanë qenë më shumë se 8,5 milionë euro.

“Nëse flasim me shifra, gjatë periudhës janar-tetor 2021 kostoja totale e kategorisë së pagave ka qenë 7 milionë e 107 mijë, ndërkaq të hyrat e përgjithshme kanë qenë 8 milionë 612 mijë euro. Këtu veç kemi një përqindje të lartë të shpenzimeve në kategorinë e pagave, e tërë kjo është si rezultat i devijimit të strukturës organizative paraprake, prandaj si emergjencë paraqitet ristrukturimi i kësaj ndërmarrjeje. Kemi pasur një grumbullim të stafit në punët administrative ndërkaq kemi ngecur me punonjësit në punët operative. Posta ka tendenca ta zgjerojë gamën e shërbimeve, kemi planifikuar ta bëjmë një ristrukturim të ndërmarrjes, ku të gjithë punonjësit do ta gjejnë vetën mirëpo në mënyrë që funksionaliteti i ndërmarrjes të ngritët, dhe ajo nënkupton se do të vjen edhe te ulja e kostos në kategorinë e pagave”, ka thënë Kadiu.

Ajo ka shtuar se Posta ka një kohë të gjatë që operon me humbje, derisa gjatë vitit 2020 ka nisur me pagesat e borxheve ndaj shtetit, në vlerë prej rreth 1 milionë e 400 mijë euro. Si pasojë e kësaj, Kadiu ka shpjeguar se Posta nuk ka pasur mundësi që një kohë të gjatë që të bëjë investime kapitale.

Kadiu ka folur edhe për numrin e madh të drejtorive brenda Postës, duke thënë se aktualisht janë nëntë, derisa ka shtuar se administratat e ngjashme të rajonit operojnë me vetëm katër drejtori.

Edhe Bien të hyrat e postës për dy milionë euro, ende i vështirë sigurimi i pagave për punonjësit Arbëri Bien të hyrat e postës për dy milionë euro, ende i vështirë sigurimi i pagave për punonjësit

“Aktualisht i kemi nëntë drejtori dhe në të gjitha administratat e rajonit me 4 drejtori mbulohen të gjitha shërbimet postare, kemi menduar t’i koncentrojmë drejtoritë që të jenë sa më funksionale, do të ulet numri i drejtorive dhe kështu do të ulen edhe shpenzimet në kategorinë e pagave. Secili nga punonjësit do të kenë të drejtë të konkurrojnë në cilëndo pozitë sepse të gjitha pozitat do të mbulohen në një konkurs intern”, ka thënë ajo.

Një javë më parë, njëra nga Shoqatat Sindikale të Postës së Kosovës ka protestuar lidhur me keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin në këtë ndërmarrje.

Ata kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Përkohshëm, u.d KE Fakete Kadiu, u.d drejtor i Resurseve Njerëzore, Petrit Karakashi, drejtoreshë e Operativës, Saranda Isufi, si dhe dorëheqja e Komisionit për Ristrukturim të Postës.


Posta parasheh rritjen e pagave të postierëve

Fakete Kadiu, ushtruese e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, ka thënë se në kuadër të ristrukturimit të ndërmarrjes është paraparë lehtësimi i punës së postierëve.

Kadiu ka thënë se pagat e postierëve parashihet të rriten.

“Ne kemi planifikuar ta lehtësojmë punën e postierëve, në këtë ristrukturim jo që do të ulen pagat, pasi në disa kategori kemi paparaparë rritjen e pagave, sidomos për postierët”, është shprehur ajo.

Edhe 47 zyrtarë në Postë kryejnë funksionin si u.d. përkundër tejkalimit të afateve ligjore Arbëri 47 zyrtarë në Postë kryejnë funksionin si u.d. përkundër tejkalimit të afateve ligjore

Kadiu po ashtu ka bërë të ditur se ndërmarrja e ka një hapësirë të tokës në Zonën Industriale në Fushë-Kosovë, në të cilën pritet që me një investim të aksionarit, të bëhet zhdoganimi i mallrave që hyjnë në Kosovë, me një kosto më të ulët.

“Në Zonën Industriale në Fushë-Kosovë e kemi një hapësirë të tokës, atë hapësirë fillimisht e kemi dedikuar për ndërtimin e një terminali doganor ku do të bëhet matja e mjeteve të cilat hyjnë, pesha, specifikat. Flasim për një hapësirë prej 2,4 hektarë tokë ku me një investim nga aksionari- shteti, do të mundësohet zhdoganimi i të gjitha mallrave që vijnë në Kosovë të jetë me një kosto më të ulët se që është paguar deri tani”, ka thënë Kadiu në “60 Minuta” të KTV-së.