Arbëri

47 zyrtarë në Postë kryejnë funksionin si u.d. përkundër tejkalimit të afateve ligjore

7 pozitat e drejtorëve regjionalë të Postës së Kosovës janë duke funksionuar me ushtrues detyre për më shumë se gjashtë muaj, që përbën tejkalim të afateve ligjore që parashihen me rregulloren e brendshme të Postës. Pos drejtorëve, në këtë ndërmarrje janë edhe 40 pozita të tjera me problemin e njëjtë.

Posta e Kosovës ka 47 zyrtarë që janë ushtrues detyre e që kryejnë funksionet për kohë më të gjatë se 6 muaj.

Kjo përbën shkelje të afateve ligjore të parapara me vetë rregulloren e brendshme të Postës.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit, të shtatë drejtorët regjionalë të Postës nuk kanë mandat të plotë.

Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Fadil Bejta, e ka pranuar se në këtë ndërmarrje ekziston ky problem.

Ai ka thënë se janë në një periudhë të riorganizimit të brendshëm dhe se pozitat do të plotësohen me konkurs.

“Ndërmarrja është në proces të ristrukturimit të saj dhe kjo pamundëson mbulimin e pozitave të punës me konkurs të rregullt pasi që është në proces struktura e re organizative. Pas përfundimit të procesit të ristrukturimit dhe rrjedhimisht miratimit të strukturës së re organizative, ndërmarrja do të hapë konkurs të rregullt për mbulimin e pozitave vakante të punës sipas strukturës së re”, ka thënë Fadil Bejta, kryesues i Bordit të Postës së Kosovës.

Ai tha se në krahasim me vitet e tjera, sivjet Posta ka marrë opinionin më të mirë nga Zyra Kombëtare e Auditorit.

E, kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ndërmarrësi, Industri dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se lënia në udhëheqje e ndërmarrjeve publike me u.d. tashmë është praktikë e kësaj qeverie.

Sipas tij, kjo paraqet tendencat e Qeverisë për t’i mbushur me militantë politikë këto ndërmarrje.

“Pozicionet me ushtrues detyre nuk japin rezultat efektiv, as në punë, as në menaxhim, as në organizim dhe të gjitha ato pozicione, që janë me dhjetëra në Postë, tregojnë paaftësinë qeverisëse për të instaluar grupe profesionale, por kanë instaluar militantë politikë, të cilët ose nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore ose profesionale dhe tash i mbajnë për periudha të gjata si ushtrues detyre”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë që brenda vitit në Postën e Kosovës janë ndërruar 5 kryeshefa dhe Qeveria vazhdon ta subvencionojë këtë ndërmarrje.