Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë se Serbia ka epërsi në Kombet e Bashkuara ku po mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Kabashi-Ramaj ka thënë se Serbia ka epërsi në OKB pasi ajo është anëtare e saj e Kosova ende jo.
“Në momentin që nuk koordinohesh me partnerët që kanë ndihmuar në krijimin e shtetit tonë, atëherë krijohen hapësira të tilla që shfrytëzohen nga armiqtë tanë, në këtë rast nga Serbia, për të thirrur një seancë në një fushë ku ata kanë epërsi. Në Kombet e Bashkuara ata kanë epërsi sepse Serbia është anëtare dhe ne ende nuk jemi. Sepse aty, Rusia ka të drejtën e vetos dhe sot tha çka deshi për Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kosova për herë të parë po qëndron në ulëset e OKB-së, pa u koordinuar me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“Në të kaluarën Kosova gjithmonë ka qenë e koordinuar me aleatët dhe nuk iu ka krijuar hapësirë bazë për t’u kritikuar, sot është hera e parë që fatkeqësisht pamë edhe partnerin tonë strategjik të thotë që Republika e Kosovës nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Kjo është shumë e dhimbshme”, ka shtuar ajo.
Anëtarja e Kryesisë së PDK-së më tej e ka quajtur shumë teknik fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Kosova ka qenë në defensivë në seancën e sotme”, është shprehur ajo.