Gjykata Komerciale ka vendosur që ta anulojë njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe një pikë të vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, me të cilat 1 mijë e 300 biznese obligohen që të dalin në treg të hapur të energjisë. Juristë e edhe përfaqësues biznesesh kanë thënë se vendimi është i vlefshëm për të gjithë dhe jo vetëm për biznesin i cili është ankuar në gjykatë
Vendimi i Gjykatës Komerciale për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, është i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë.
Në ZRRE i kanë njoftuar bizneset me më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, se nga 1 qershori duhet që ta gjejnë vetë furnizuesin e energjisë elektrike dhe si fazë tranzitore i ka caktuar 60 ditë. Vendimi i ZRRE-së është dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
E pas vendimit të së mërkurës të Komerciales, avokati Ardian Bajraktari ka thënë se njoftimi i ZRRE-së nuk mund të prodhojë efekte.
“Përcaktohet se ky njoftim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë anulohet, përkatësisht pezullohet në tërësi, e kjo nënkupton se ky njoftim është i pezulluar dhe rrjedhimisht i njëjti nuk mund të prodhojë efekt as për palën përkatëse dhe as për subjektet e tjera, për faktin se figurimi i faktit se është në tërësi, nënkupton se ky njoftim është i pezulluar përderisa do të bëhet i plotfuqishëm vendimi në rastin konkret”, ka theksuar Bajraktari.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se njoftimi të cilin ZRRE-ja e ka publikuar më 12 mars për liberalizimin e tregut energjetik është i kundërligjshëm, ngase përbën detyrim për palët dhe ka efekte për të gjitha bizneset që kalojnë në treg të lirë, si dhe nuk i plotëson kriteret e një akti administrativ.
“I padituri me rastin e nxjerrjes së një njoftimi dhe vendimit kontestues nuk ka arritur që ta ndërtojë strukturën dhe elementet e detyrueshme të aktit administrativ të shkruar, siç është përcaktuar me nenin 47, par. 1, nënpar. 2 të LPPA-së, i cili përcakton se: “1. Akti administrativ i shkruar përmban: ... 1.2. pjesën urdhëruese (dispozitivin), që tregon çfarë është vendosur, si dhe afatin, kushtin, detyrimin dhe shpenzimet e procedurës, nëse është i zbatueshëm”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale, të publikuar të mërkurën.
Komercialja e ka konsideruar të kundërligjshme edhe pikën 4 të vendimit të marrë nga ZRRE-ja më datë 5 prill për liberalizim të tregut, nën arsyetimin se nuk i ka përcaktuar qartë disa pika të kalimit të bizneseve në treg të lirë energjetik.
“Gjykata vlerëson se i padituri me këtë vendim e ka rregulluar në mënyrë të qartë dhe ka arsyetuar obligimin ndaj KESCO-s për furnizim në kuadër të shërbimit universal, ndërsa lidhur me tregun konkurrues si në pikën IV të vendimit, nuk i ka përcaktuar kriteret dhe procedurat e as nuk ka paraqitur arsyetim me të cilin do të rregullohet tregu i lirë (konkurrues) për konsumatorët që nuk i plotësojnë kushtet për qëndrim në shërbimin universal”, thuhet në vendimin e Komerciales.
Po ashtu, sipas Gjykatës, ekzekutimi i vendimit dhe i njoftimit të paditësit do të shkaktonte dëme vështirë të riparueshme, ndërsa pezullimi i ekzekutimit të vendimit dhe njoftimit nuk do të ishte në kundërshtim me interesin publik. Andaj, për t’i shmangur pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen te paditësi, pezullimi i ekzekutimit të vendimit dhe njoftimit nuk do t’i shkaktonte dëme të mëdha palës kundërshtare.
Në ZRRE nuk u janë përgjigjur të enjten pyetjeve të adresuara nga KOHA në lidhje me vendimin e Gjykatës Komerciale.
E, sipas juristit Bajraktari, mungesa e arsyetimit në njoftim dhe në vendim të ZRRE-së tregon për vakumet të cilat ekzistojnë brenda këtij organi sa i përket kalimit të bizneseve në treg të lirë.
“Arsyetimi është element kyç në çdo rast, e në këtë drejtim vlerësoj se kjo e shpërfaq faktin se ZRRE-ja këtij procesi i ka hyrë në mënyrë të papërgatitur dhe, si rrjedhojë, tashmë i kemi këto vendime të gjykatave, e që pjesa dërrmuese vetëm se po miratohen. Ajo çka duhet ZRRE-ja të ndërmarrë është qartazi e kuptueshme, ta ndalë këtë proces në tërësi, ta kuptojë se ka hyrë e papërgatitur dhe ta fillojë një proces të mirëfilltë konsultimesh me të gjithë akterët”, është shprehur Bajraktari.
Oda Ekonomike (OEK) i ka bërë thirrje ZRRE-së që ta anulojë vendimin për liberalizim të tregut, pasi që ka theksuar se moszbatimi i vendimit të Gjykatës përbën shkelje të rëndë juridike.
Nga vendimi dhe njoftimi i ZRRE-së janë prekur rreth 1 mijë e 300 biznese.
Pas vendimit, reagime ka pasur edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, e edhe nga ajo Amerikane.
Nëpërmjet një komunikate për media, në OEK kanë thënë se Gjykata Komerciale e ka anuluar në tërësi njoftimin e ZRRE-së për daljen në treg të hapur të bizneseve me mbi 50 punëtorë, ose mbi 10 milionë euro qarkullim në vit. Ndërsa, Oda Ekonomike Amerikane ka shkruar në një postim në “Facebook” se aktgjykimi i konfirmon shqetësimet e ngritura nga bizneset dhe nga Oda Amerikane, duke i theksuar më tej të metat procedurale dhe substanciale në procesin e liberalizimit.
Reagime ka pasur të enjten edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë që në rast se nuk pezullohet vendimi për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, atëherë ai do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë në vend.
“Janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune dhe valë e re inflacionit për secilin produkt. E kemi thënë që në fillim: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar, ende nuk i kanë faturat e muajit qershor. Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për bordin e ZRRE-së. Nuk duhet të lejohet asnjëherë që njerëz që paguhen me para publike, të punojnë për interesa private”, ka shkruar Bajrami.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tri të tjera janë në proces të licencimit. Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u. Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera. E, me KEK-un kontrata kanë lidhur 53 kompani.