Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Southamptoni përjashtohet nga plejofi për spiunazh

Southampton

Southamptoni është përjashtuar nga plejofi për kualifikim në Premier League, pasi pranoi se spiunoi tre klube gjatë edicionit në Championship.

Një anëtar i stafit të Southamptonit u pa duke filmuar një nga seancat stërvitore të Middlesbrough në prag të gjysmëfinales së parë të plejofit mes këtyre dy skuadrave. Gjysmëfinalen në fund e fitoi Southamptoni.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Liga Angleze e Futbollit (EFL) ka theksuar se krahas Middlesbrought, Southamtponi ka spiunuar edhe seancat stërvitore të Oxford Unitedit dhe Ipswich Townit

Komisioni i pavarur disiplinor e dënoi Southamptonin me zbritje prej katër pikësh në Championship për edicionin e ardhshëm.

Middlesbrough, i mposhtur nga Southamptoni në gjysmëfinale, tani do të luajë kundër Hull City në finale të plejofit, përkatësisht për një vend në Premier League.

Finalja do të zhvillohet të shtunën në “Wembley”.

Southamptoni pranoi “shkelje të shumta të rregulloreve të EFL-së në lidhje me filmimin e paautorizuar të stërvitjes së klubeve të tjera”, tha EFL.

Klubi gjithashtu ka marrë një qortim në lidhje me të gjitha akuzat.

Southamptoni ka të drejtë të apelojë kundër vendimit të komisionit dhe “po punon për të zgjidhur çdo ankesë të mërkurën, më 20 maj”.

EFL shtoi se “në varësi të rezultatit, kjo mund të rezultojë në një ndryshim të mëtejshëm të ndeshjes të së shtunës”.

Middlesbrough lëshoi një deklaratë ku tha se “mirëpret vendimin”.

Pas një rasti spiunazhi në Lojërat Olimpike 2024, tre anëtarë të stafit të Kanadasë, përfshirë trajnerin kryesor, u përjashtuan nga të gjitha aktivitetet futbollistike nga FIFA për një vit.