Arbëri

Jep dorëheqjen një nga anëtarët e OSHP-së, katër muaj pas zgjedhjes

OSHP

Rreth katër muaj pasi është zgjedhur Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), njëri nga anëtarët ka dhënë dorëheqjen.

KOHA ka mësuar të mërkurën se anëtarja Nita Bejta, e ka dorëzuar dorëheqjen nga ky institucion.

E kontaktuar nga KOHA, ajo ka konfirmuar atë.

“Po. Për arsye personale, nuk ka pasur ndonjë gjë që lidhet me ndonjë rast, jo”, ka thënë ajo.

Bordi i OSHP-së është zgjedhur në qershor nga Kuvendi i Kosovës.

Bejta ishte prej dy kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit megjithëse nuk kishin aplikuar fare në konkursin për Bordin e OSHP-së.

KOHA javën e kaluar ka pasur disa raportime se si një vendim i OSHP-së rrezikonte të kthehej në precedent të rrezikshëm për tregun farmaceutik. Kjo për shkak që ky bord me shumicë votash kishte votuar që një kompanie farmaceutike nuk i duhej Autorizim Marketingu për të fituar tender të barnave në Ministrinë e Shëndetësisë. Autorizim Marketingu është pasaporta e një bari që tregon se ai produkt përmbush kriterin e cilësisë, efikasitetit dhe sigurisë.

KOHA kishte kërkuar nga OSHP-ja përgjigje për mënyrën se si kishte votuar secili anëtar në këtë rast, por nuk është përgjigjur.

Burimet e KOHËS deklaruan që anëtarja tashmë e dorëhequr, Nita Bejta e anëtari tjetër Agon Ramadani kishin votuar që barnat nuk mund të blihen pa certifikatë të cilësisë e efikasitetit, ndërsa tre anëtarët e tjerë, kryesuesja Vjosa Gradina, Kimete Gashi e Vedat Potërqoi votuan që barnat të kontraktohen edhe pa këtë kriter.