Kuvendi ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.
Qeveria pati propozuar dy kandidatë - Batisha Ibrahimi dhe Meriton Zika - për pozitën e një anëtari të Bordit. Kjo pasi Kimete Gashi ishte shkarkuar nga pozita e anëtares me propozimin e Qeverisë, për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.
Qeveria e pati iniciuar shkarkimin e Gashit pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit.
KOHA pati raportuar në vazhdimësi se si Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit. Në rastin më të fundit, të prillit, OSHP-ja pas orarit të punës i ka dërguar urdhëresë Ministrisë së Shëndetësisë që të procedojë me këtë tender. E për këtë, OSHP-ja i pati dhënë Ministrisë pesë ditë afat. Ky tender është hapur në fundin e vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm Ardian Mehmetaj. Prej vitit 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu.
Dështon votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
Edhe
Shpallet antikushtetues vendimi i Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së
Ka dështuar të hedhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi nuk ka pasur numrat e mjaftueshëm të deputetëve – 80 deputetë të pranishëm – për t’i votuar ato.
Megjithatë, deputetët e pranishëm kanë vazhduar me prezantimin e katër prej këtyre marrëveshjeve të cilat deri tash nuk janë prezantuar në Kuvend nga kabineti qeveritar.
Lidhja Demokratike e Kosovës para se të fillonte trajtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e ka lëshuar sallën. Deputeti Driton Selmanaj ka thënë se deputetët e partisë së tij nuk mund të qëndrojnë në sallë kur prezentë nuk janë as të gjithë deputetët e shumicës.
Ndërkaq, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për provimin e maturës shtetërore ka kaluar në seancë tjetër në mungesë të votave.
Marrëveshjet ndërkombëtare, Murati: 300 milionë euro po presin, ju lus të votoni
Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka kërkuar deputetëve të opozitës që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Murati ka theksuar se janë 300 milionë euro që janë bllokuar me bojkotin e votimit të marrëveshjeve në Kuvend. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë votuar që një kohë fillimisht nga tri partitë opozitare, PDK-LDK-AAK, e më pas dy të fundit ishin shprehur se do të votonin ndërsa PDK-ja ka vazhduar ta bojkotojë votimin e tyre.
“Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin ratifikimin nga Kuvendi. E di se disa GP kanë shprehur mbështetjen. Por iu isha lutur që si Kuvend ta kryeni obligimin. Janë 300 milionë euro që po presin”, ka thënë Murati.
S’kalon propozimi i PDK-së që të diskutohet për raportin e DASH-it
Edhe
Komisioni sërish pa vendimmarrje për shkarkimin e anëtares së Bordit në OShP
Nuk ka kaluar propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës që në seancën e Kuvendit të enjten të futet në rend dite diskutimi në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Megjithëse pro saj ishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, propozimi u pamundësua meqë deputetët e Vetëvendosjes votuan kundër ndryshimit të rendit të ditës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se sot nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa dy raportet e fundit ndërkombëtare për Kosovën. Sipas Tahirit, këto raporte shpërfaqin një gjendje të zymtë dhe aspak të mirë të Kosovës.
E, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se raporti i DASH-it ka gjetur shumë shkelje. Ai ka përmendur çështjen e lirisë së mediave dhe ndërhyrjet politike në drejtësi.
LEXO EDHE:
Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite sërish marrëveshjet ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të re plenare ku përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare në rend dite është votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtimi i disa të tjerave.
Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka dështuar disa herë radhazi si pasojë e mungesës së konsensusit pushtet - opozitë.
Si pasojë e mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ministrat disa herë kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.
Kuvendi në seancën e së enjtes do të shqyrtojë në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, Projektligjin për provimin e maturës shtetërore si dhe Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022.
Edhe
Iniciohet shkarkimi i anëtares së OSHP-së shkaku i tenderit për insulina
Gjithashtu Kuvendi pritet të emërojë një anëtar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Seanca do të nisë në orën 10:00.