Arbëri

Jashari: Drenica, çerdhe e lirisë

Komuna e Skenderajt sot po shënon 20 vjetorin e çlirimit të saj nga forcat serbe.

Në kuadër të shumë aktiviteteve për manifestim të Ditës së Çlirimit u mbajt edhe seancë solemne e Kuvendit Komunal të Skenderajt, e cila nisi me një minutë heshtje në nderim për të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se rruga drejt lirisë ishte e vështirë dhe kontribut dhanë jo vetëm familja Jashari por edhe të gjitha familjet tjera, “pasi që Drenica dhe Skenderaj janë çerdhja e lirisë”.

Sipas tij kryefjala e historisë të lavdishme, e cila i vuri kurorë sakrificave shekullore, është Shaban, Adem e Hamëz Jashari e shumë burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk mund të shprehet me fjalë rruga e vështirë dhe kontributi deri te liria, jo vetëm të familjes time, por edhe secilës familje tuaj. Me fjalë nuk mund të shprehet vepra madhore e atyre që sakrifikuan për liri, duke u vulosur nga familja Jashari, kur pas gati 100 vitesh okupim gjeneratë pas gjenerate, luftuan kundër një okupatori të ligë e mizor, çfarë nuk e njeh historia. Sot, po shënojmë 20 vjetorin e ditës së çlirimit tonë, nga vendi të cilin e ngarkoi historia, nga njerëzit me rolin e papërsëritshëm në histori të popujve, për të nisur rrugëtimin e pakthyeshëm të lirisë”, ka thënë më tej Jashari.

I pari i Skenderajt tha se lirisë së Kosovës i kontribuuan edhe shumë shtete mike të Kosovës, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleanca e NATO-s.

“Skenderaj ynë sot me krenari po vazhdon të zhvillojë jetën e re, shtetndërtimin. Ne së bashku me ju, nga dhjetori i vitit 2017, kemi bërë bashkë shumë punë të mira, me gjithë vështirësitë dhe rrethanave të paparashikuara. Gjithsesi, kam dhënë zotimin se do të bëj më të mirën e mundshme, e them edhe sot, me rastin e përvjetorit të 20 të çlirimit të Skenderajt. Nuk do të ndalem për të zbatuar ligjin, për të krijuar hapësirën dhe mundësi për jetë më të mirë për çdo qytetar, ashtu siç e deshën heronjtë tanë, siç e kërkoi populli i robëruar. Këtë ua kemi borxh më të dashurve tanë, që na shohin nga lart, se si punojmë e si sillemi. Ua kemi borxh fëmijëve tanë”, ka deklaruar Jashari, raporton KP.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Skenderajt, Fatbardha Haliti ka thënë se në qershorin e vitit 1999 bijtë e bijat e Kosovës dolën rrugëve duke triumfuar për lirinë e fituar.

Ajo tha se qershori do kujtohet gjithmonë si muaji i lirisë, kurse marsi do kujtohet në histori si muaj i sakrificës.

“Pa dyshim që kjo luftë çlirimtare ishte nga popuj liridashës të udhëhequr nga SHBA, Britani e Madhe, Gjermania, Franca e anëtarët e NATO-së. Qershori i 99-tës për ne çdoherë do mbetet në histori si qershori i lirisë duke kujtuar çdo herë marsin si muaj të sakrificës”, u shpreh Haliti.

Në këtë seancë solemne morën pjesë familjarë të dëshmorëve e ushtarë të KFOR-it.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i shoqëruar nga drejtues të drejtorive komunale, asamblistë e qytetarë gjatë ditës së sotme kanë bërë homazhe tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në qendër të qytetit, në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe tek varrezat e dëshmorëve në Marinë. Manifestimi qendror për shënim të 20 vjetorit të çlirimit të Skenderajt do mbahet në sheshin "Adem Jashari" në Skenderaj.