Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jakupi: Kosova s’ka garanci që kryetarët serbë nuk do të japin sërish dorëheqje

Ish-drejtori i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Shkëlqim Jakupi, ka deklaruar se Kosova nuk ka garanci që kryetarët serbë në katër komunat veriore nuk do të japin sërish dorëheqje në rast të ardhjes në pushtet me zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

I ftuar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, Jakupi ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë situatën aktuale për të bërë plotësim-ndryshimin e zgjedhjeve lokale.

“Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë situatë që të përfitojë diçka, ta nxjerrë një kompromis, respektivisht ta bëjë plotësim ndryshimin e zgjedhjeve lokale sepse në çfarëdo varianti që do të shkohet me zgjedhje të reja në ato komuna, asgjë nuk e garanton që kryetarët e rinj që do të vinin nga Lista Serbe, prapë nuk do të jepnin dorëheqje”, ka thënë ai.

Jakupi ka shtuar se largimi i kryetarëve të zgjedhur në këto komuna nuk duhet të bëhet përmes peticioneve.

“Në botën demokratike ku kryetarët e komunave zgjidhen në zgjedhje të lira dhe të drejtpërdrejta nga qytetarët nuk mund të largohen me një peticion, çfarëdo qoftë ai, megjithatë kam përshtypjen që zyra ligjore e Presidentes e ka pasur parasysh dispozitën e veçantë në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, e cila ka të bëjë me mekanizmat e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrjen e politikave lokale, që ka të bëjë me largimin e kryetarëve të komunave, por edhe ajo si e tillë, vetë fakti të organizohet një peticion, të marrin pjesë 20 e qytetarëve dhe të krijohen kushtet për t’u shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut është antiligjore dhe antikushtetuese do të ishte rrjedhimisht sepse ajo dispozitë apo interpretimi i asaj dispozite është i tillë që 20 për qind e votuesve të regjistruar në një komunë, do ta krijonin një mundësi për tu iniciuar largimi i kryetarit në atë komunë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se mund të largohet kryetari i komunës për vetë faktin se ekzistojnë 20 për qind e votuesve të regjistruar. Rrjedhimisht për t’i shpjeguar në pika më të qarta, 20 për qind do ta krijonin kërkesën për largimin e kryetarit, me atë kërkesë detyrohet KQZ-ja të organizojë zgjedhje në komunë për largimin e kryetarit. Edhe këtu ka një kusht sepse për t’u larguar kryetari i komunës duhet të marrin pjesë 50+1 për qind e votuesve të regjistruar”, ka thënë ai.

Edhe Kryetarët e rinj në pritje të certifikimit të rezultateve, për t’i nisur mandatet Zgjedhjet lokale Kryetarët e rinj në pritje të certifikimit të rezultateve, për t’i nisur mandatet

Sipas tij, në Kosovë asnjëherë më parë nuk ka pasur peticione apo kërkesa të tilla për largimin e kryetarëve të komunave.