SShkëlqim Jakupi, njohësi i qeverisjes lokale, ka deklaruar se pret që në zgjedhjet e sivjetme lokale, që do të mbahen më 12 tetor, shumica e komunave të shkojnë në balotazh.
Ai ka folur për ashpërsimin e situatës politike, ku tha se rënia e Lëvizjes Vetëvendosje në nivelin qendror dhe rritja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, rrisin ambiciet e partive opozitare.
Sipas Jakupit, Vetëvendosje po e angazhon fuqinë politike aktualisht për zgjedhje lokale.
“Shumica e komunave sivjet në këto zgjedhje pritet të shkojnë në balotazh, pasi është ashpërsuar situata politike në Kosovë në përgjithësi. Rënia e Vetëvendosjes në nivel qendror dhe rritja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe janë krijuar ambicie për parti opozitare, që t’i ruajnë komunat që i kanë. Vetëvendosje fuqinë politike po e angazhon për të marrë më shumë komuna”, ka thënë ai të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.
Jakupi u shpreh se qytetarët në përgjithësi janë më të lidhur ideologjikisht me liderin partiak në zgjedhje qendrore, por tha se në zgjedhjet lokale e shikojnë kualitetin “dhe bëjnë dallimin pa hamendje fare”.
Ai ka thënë se kryetarët e komunave në mandatin e fundit janë përballë me probleme buxhetore pasi u është përmbaruar buxheti i investimeve kapitale. Ai shtoi se ata në përgjithësi kanë pasur edhe keqmenaxhim dhe keqplanifikim.
“Komunat, jo rrallëherë krijojnë vija buxhetore që janë shumë të përgjithshme dhe janë zor të realizueshme. Një projekt që kushton 2 milionë euro, ata vendosin që me 10.000 euro dhe dihet që ai projekt në asnjë formë s’mund të realizohet”, ka thënë Jakupi.