Arbëri

Jakaj: Mbajtja zgjedhjeve lokale me ato parlamentare në të njëjtën ditë, vetëm ëndërr

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar të mërkurën që në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshmet. Propozimi u bë në takimin  që presidentja Vjosa Osmani mbajti me përfaqësues të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Por, një propozim të tillë e ka quajtur “ëndërr” Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve për një ditë nuk mund të bëhet.

“Për të shkuar në zgjedhje lokale dhe parlamentare në një ditë duhet të kemi Kuvend të konstituuar, aktualisht nuk e kemi. S’ka kuvend që shpërndahet dhe kjo do mbetej vetëm një ëndërr, është një ëndërr dita e zgjedhjeve në një ditë, sipas Kushtetutës”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Propozimi i LVV-së erdhi pasi, sipas deputetes Albulena Haxhiut, nuk po shihet zgjidhje për situatën aktuale në Kuvend. Kuvendi dështoi të konstituohet të mërkurën për të 26-tën herë me radhë.

Kuvendi do të mblidhet për seancën e radhës të enjten, një ditë pas seancës së fundit që u mbajt, ndryshe nga herat e kaluara kur caktohej pas 48 orësh.

E, Jakaj ka thënë se caktimi i seancës 24 orë pas, u bë në kundërshtim me procedurat e rregullta dhe rregulloren e Kuvendit.  

“Nesër që mbahet seanca tjetër, po është shkelje procedurale sepse nuk pati një mocion që duhet të votohet nga Kuvendi me shmangie të rregullore, me 2/3 e deputetëve të pranishëm. Dehari nuk u kujdes sot që të japë një përpikëri të zbatimit të rregullores, nuk mundet me konsulta nga foltorja  e tij të ndërmarrë iniciativa... Proceduralisht nuk është në rregull”, përfundoi ai.