Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Istogu vazhdon bashkëpunimin me “Caritas Kosova”

Me marrëveshjen e re të nënshkruar nga Komuna e Istogut dhe “Caritas Kosova” është vazhduar edhe për këtë vit bashkëpunimi mes tyre për bashkëfinancimin e projektit për ngritjen e përkujdesit dhe shërbimeve sociale e shëndetësore në shtëpia dhe ambulanca në Komunën e Istogut.

Kjo marrëveshje mbështet edhe me institucionet ekzistuese sociale dhe shëndetësore të Komunës së Istogut, që janë në menaxhimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shkruan sot Koha Ditore.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Istogut, Genc Ademaj, tregoi për KD-në se ky projekt është duke u realizuar nga Komuna e Istogut dhe “Caritasi i Kosovës” që nga viti 2015. Kjo marrëveshje, sipas tij, është njëvjeçare për vitin 2018.

Deri më tash nga këto marrëveshje të realizuara janë punësuar gjithsej 77 punëtorë, të cilët kanë kryer vizita sistematike nëpër shtëpi të personave me nevojë. Gjatë tre vjetëve janë realizuar 2 mijë e 932 vizita shtëpiake në tërësi. Këto vizita mjekësore, siç thotë Ademaj, kryhen nga mjekët që angazhon me kontratë njëvjeçare dhe.

“Kryesisht angazhohen mjekë të rinj, që posa kanë kryer fakultetin, si dhe teknik mjekësor. Këta paguhen bashkë nga Komuna e Istogut dhe ‘Caritasi i Kosovës’. Vjet në pagesën e stafit të angazhuar në kuadër të këtij projekti ka participuar edhe Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, por sivjet nuk është edhe pse dy herë kemi bërë kërkesë në këtë ministri për ta vazhduar, por nuk po përgjigjen”, thotë Ademaj.