Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Islami s’pret përshkallëzim të mëtejmë të raporteve SHBA-Iran

Nehat Islami, ish-gazetari që për shumë vjet raportoi për “Rilindjen” nga Lindja e Mesme, ka thënë se nuk pret përshkallëzim të mëtejmë të raporteve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Duke komentuar sulmet nga Irani ndaj bazës amerikane në Irak të mërkurën në orët e para të mëngjesit, Islami ka thënë se kjo ishte vetëm “shfryrje e një dufi pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani, nga SHBA-ja”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kam pritur që do të ndodhte një kundërpërgjigje nga Irani sa për të shfryrë dufin për shkak të humbjes së personit numri një. Më duket se shfryu dufin, por sipas të gjitha gjasave s’ka pas viktima. Më duket se ka qenë i planifikuar që të mos bëjë dëme. Irani është arsyetuar para ithtarëve të vet se ja ia tregoi Amerikës atë që e kërkoi, ndërsa Amerika besoj se do ta gëlltisë edhe këtë aksion sepse është fjala për një ristrukturim në regjion. Besoj se s’do të ketë luftime të mëdha. Mund të ketë provokim, por jo më shumë sepse askush s’është i interesuar që të ketë luftë”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.

Sipas tij, ndër arsyet kryesore të përshkallëzimit të raporteve është se SHBA-ja dëshiron me ngulm të qëndrojë në Lindjen e Mesme, e Irani ka qëllim të shtrijë ndikimin në Irak e Siri, dhe kjo po i pamundësohet nga Amerika.

“Është përpjekje e Iranit ta dëbojë Amerikën nga ky regjion e ta zhvlerësojë rolin e saj si fuqi, por kjo s’është e mundur. Amerika nuk do të tërheqë të gjitha trupat, por pas këtij sulmi iranian ndaj rrethit të bazave, do të fillojë të veprojë edhe diplomacia sekrete por natyrisht edhe ajo publike, që të gjendet një gjuhë e përbashkët. Qëllimi themelor i Iranit është ta dëbojë Amerikën nga Iraku e Siria që të jetë i lirë e të veprojë i lirë me planet dhe strategjitë e tij, të zgjerojë shtetet me ndikim shiit dhe revolucionit islamik. Nëse amerikanët do të tërhiqeshin nga Iraku atëherë Irani do të ishte i lirë të veprojë, por kjo është e pamundur sepse Amerika s’dëshiron të tërhiqet nga ky regjion dhe s’do të tërhiqet. Për këtë do të bindet edhe Irani”, ka shtuar Islami.

Sipas tij, ndërrimi i pushteteve në Iran ka bërë që ky shtet të ndërrojë qëndrimin ndaj perëndimorëve, përfshirë Amerikës me të cilën dikur kishte raporte të mira.

Ka thënë se mbi të gjitha SHBA-ja nuk dëshiron që Irani të bëhet fuqi bërthamore dhe për këtë “perëndimorët e konsiderojnë shtet të pasigurt e duan të kenë kontroll mbi të”.

Ai ka thënë se vrasja e Soleimanit nga SHBA-ja është eliminim i një armiku të madh për Amerikën.

“Pikërisht Soleimani ishte ai që e ka mbrojtur dhe zgjati jetën e kryetarit të Sirisë dhe regjimit sirian, kur i ndihmoi një diktatori që të forconte pozitën e tij karshi popullit që u shkatërrua. Ka luajtur lojë të dyfishtë, por edhe për interesa të veta. S’ishte lojë e rreme, sepse Iranit i konvenonte që në Siri dhe Irak të humbë betejën ISIS-i sepse Irani është kundërshtar i ISIS-it që ka ideologji tjetër. Atyre u konvenonte të shkatërrohej ISIS-i e të vazhdonte me eksportin e revolucionit të vet islamik. Kërcënimet janë dhe është normale tani. Edhe në deklaratën e ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, u tha që edhe njëherë nëse na sulmoni ne veprojmë. Kjo lë të kuptohet se ata konsiderojnë se kjo punë ka marrë fund tash për tash. Nuk do të lëndohet krenaria e SHBA-së nëse merr fund tash, sepse SHBA-ja ka hequr nga kjo botë një armik shumë të rrezikshëm për sot e nesër e nuk e di pasardhësi i tij a do të vazhdojë rrugën e tij apo jo, por gjenerali Soleiman ishte fuqia më projektuese i lëvizjeve anti-amerikane dhe anti-arabe, sepse dihet që iranianët s’janë popull arab, por i bashkon me arabët e Sirisë dhe Irakut, vetëm sekti shiit”, ka shtuar më tej ai.

Sipas tij, rreziku potencial që ka lindur tash do të detyrojë edhe Bashkimin Evropian, Kinën e Rusinë që të jenë më aktive.