Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-prokurori Blakaj: Kosova s’e ka luksin të mbetet peng i individëve që janë në sistemin prokurorial e gjyqësor

Duke folur për reformën në drejtësi, ish-prokurori special, Elez Blakaj, ka deklaruar se Kosova nuk e ka luksin të mbetet peng i disa individëve që janë pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, “faturën e të cilëve po e paguan Kosova padrejtësisht”.

Blakaj ka deklaruar se pavarësia e sistemit të drejtësisë është degraduar dhe zhvlerësuar “deri në atë nivel aq sa e kemi zhvesh nga dinjiteti këtë parim, andaj kjo ‘pavarësi’ nuk po na duron tutje”.

“Me gjithë respektin për shumë ish-kolegë prokurorë dhe gjyqtarë të cilët kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje ta kryejnë punën me përgjegjësi dhe përkushtim si profesionist, nuk mund ti lejohet “një pjese” ta keqpërdor punën tuaj dhe të fshihet pas “pavarësisë”, me të cilën asnjëherë nuk janë identifikuar dhe nuk e kanë përfaqësuar! Andaj, nuk ka e as nuk do të duhet të ketë “pavarësi absolute”, për ata të cilët me vendimet e tyre kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë se nuk janë të pavarur e të paanshëm dhe nuk qajnë kokën shumë për zbatim të procedurave dhe ligjit, fatkeqësisht”, thuhet tutje në postimin e tij në Facebook.

Ish-prokurori, që ishte dorëhequr pasi kishte dorëzuar një draft-aktakuzë për rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”, ka thënë se duhet përshëndetur personat e pavarur që edhe përkundër vështirësive “e kanë dëshmuar me sjelljet, veprimet dhe vendimet e tyre se përfaqësojnë të ardhmen e sistemit prokurorial dhe gjyqësor”.

“Një përshëndetje për të gjithë ata të pavarur të cilët edhe përkundër vështirësive, e kanë dëshmuar me sjelljet, veprimet dhe vendimet e tyre, se përfaqësojnë te ardhmen e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, e po ashtu se kanë fare shqetësim reformën në drejtësi dhe Vetingun. Të pavarur, janë vetëm ata që ligjin e kanë “SHEF” dhe e bëjnë gjumin qetë”, ka shtuar ai.