Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blakaj: Dënimet të larta nëse dëshmohet ndikimi i të arrestuarve në dëshmitarët e Speciales

Bekim Blakaj

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se nuk mund të thuhet se gjykimet e Gjykatës Speciale në Hagë janë të padrejta për shkak se dëgjimet e dëshmitarëve janë të mbyllura për publikun.

Sipas tij, këto gjykime nuk mund të cilësohet si të padrejta pasi mbrojtja dhe të pandehurit i dëgjojnë rrëfimet dhe është vetëm publiku ai që nuk mund t’i dëgjojë.

“Publiku në Kosovë duhet ta dijë se çka kanë përjetuar ata dhe për çka po dëshmojnë. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri më tani, shumica e dëgjimeve të dëshmitarëve të prokurorisë mbeten të mbyllura për publikun. Ndoshta Dhomat e Specializuara do të duhej të bënin më shumë në këtë aspekt. Nuk mendoj që kjo mund të na shpije te një përfundim se gjykimet nuk janë të drejta sepse mbrojtja dhe të pandehurit e dëgjojnë rrëfimin”, ka thënë ai të martën në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai është deklaruar edhe lidhur me arrestimet e fundit nën dyshimin se kanë pasur ndikim në dëshmitarët e mundshëm. Blakaj ka thënë se në rast se dëshmohet një gjë e tillë, dënimi ndaj të dyshuarve do të jetë i lartë.

“Nuk e di nëse do të ketë edhe një proces tjetër për krime lufte para Dhomave të Specializuara. Ndërsa, proceset tjera dhe arrestimet e fundit kanë dalë gjatë rrugës. Arrestimet që ndodhën para dy ditësh, sigurisht do të ketë një proces gjyqësor dhe jam i sigurt se dënimi ndaj tyre do të jetë i lartë po që se dëshmohet se kanë pasur ndikim në ndonjë prej dëshmitarëve të mundshëm”, është shprehur Blakaj.