Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili u shkarkua nga ky post pak ditë pa i mbushur një vit në detyrë, ka ironizuar me vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të imponuar taksë prej 10 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.
Hasani, në një postim në Facebook, ka thënë se derisa ishte ministër i MTI-së, kishte marrë disa masa ndaj shteteve fqinje për produkte që i dëmtonin prodhuesit tonë.
“E keni shumë të freskët në kujtesë se këto vendime u kundërshtuan nga shumë ish-kolegë të mi nga kabineti qeveritar me arsyetimin se po i dëmtojmë marrëdhëniet me fqinjët dhe e shkelim marrëveshjen e CEFTA-s”, ka shkruar Hasani, raporton Koha.net.
Tutje, ai, me ironi, thotë se “më erdhi mirë kur po të njëjtit sot kërkuan masa ndaj Serbisë dhe Bosnjës”.
“Duke i njohur dyshoj shumë se këto masa do të jenë gjatë, mund të zgjasin vetëm deri të martën e ardhshme”, potencoi ish-ministri Hasani, i cili ishte liruar nga pozita e ministrit me kërkesë të partisë së tij, Nisma Socialdemokrate.
Ai ka postuar edhe vendimin e sotëm, që mund ta shihni më poshtë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar BE-ja, por edhe Serbia, që kanë kërkuar tërheqjen e këtij vendimi menjëherë.
