Arbëri

Ish-komandanti i Forcave Detare të Shqipërisë: Banjska ndryshoi skemën e sigurisë së Kosovës

Artur Meçollari

Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s ka ndryshuar skemën e sigurisë në Kosovë.

Tek ka folur për armatosjen e Kosovës, Meçollari ka thënë se Ushtria e Kosovës po rritet në mënyrë të ndjeshme.

Sipas Meçollarit, blerja e sistemeve të reja ushtarake nënkupton që Kosova do të jetë në gjendje të projektojë fuqinë e saj përtej kufijve.

“Blerja e sistemeve do të thotë që Kosova do të jetë në gjendje të projektojë fuqinë ushtarake përtej kufijve të saj, ky sistem godet më larg se kufiri i saj, ushtarakisht. Kjo nuk është lëvizja e fundit. Kosova në dy vitet e fundit ka lëvizur mirë në pikëpamje të mbrojtjes. Armatimi ushtarak që po merr po e çon në forcën të armatosur. Ka disa veprime në FSK të cilat po rrisin kapacitete në mënyrë të ndjeshme. Marrëdhëniet kryesore në fushën ushtarake janë dy: SHBA dhe Turqia. Lëvizjet që po bëhen në Kosovë janë të tilla  që forca e armatosur po rrit ndjeshëm nivelin e sigurisë. Rasti i Banjskës ndryshoi skemën e sigurisë së Kosovës. Kur vjen puna të Serbia, Vuçiq është problematik në arenën ndërkombëtare. Ai edhe mund të largohet, por largimi i tij nuk do e zgjidhë problemin me Kosovën”, ka thënë ai për “Euronews”.

Kosova viteve të fundit ka arritur marrëveshje me disa shtete për armatimin. Gjatë ditës, në emisionin “60 Minuta” në KTV, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se Kosova ka marrëveshje për armatim me Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe ka intensifikuar bashkëpunimin edhe me Gjermaninë.