Arbëri

Ish-futbollisti nga Kosova dënohet me 8 vjet burgim në Finlandë për kontrabandë droge

Albert Kuqi

Foto e marrë nga is.fi. Autor: Janne Aaltonen

Gjykata Themelore në Helsinki e ka dënuar ish-futbollistin nga Kosova, Albert Kuqi, me tetë vjet burgim për tri vepra penale që lidhen me narkotikë.

Kuqi, bashkë me dy persona të tjerë, akuzohej se kishte dërguar rreth 14 kilogramë kokainë në Finlandë në tri raste të ndara në vitet 2024 dhe 2025. Nëntë kilogramë e gjysmë veçse kishin përfunduar në treg, ka shkruar “iltalehti.fi”.

33-vjeçari akuzohej se siguroi banesën për grupin që çonte kokainën në Finlandë e se po ashtu siguroi klientët dhe ndihmoi në mbledhjen e parave nga tregtia.

Kuqi megjithatë, sipas vendimit gjyqësor, ka pasur rol më të zbehtë në krahasim me dy shqiptarë të tjerë, Lulzim Gërxhaliun e Ergi Tushën, që u dënuan me nga dhjetë vjet e dy muaj burgim. Ata konsiderohen përgjegjës për organizimin e tregtisë.

Sipas prokurorisë, ata kishin kryer veprat si pjesë të aktiviteteve të një grupi kriminal.

Po ashtu ata detyrohen t’ia dorëzojnë shtetit rreth 360 mijë euro, që dyshohet se përfituan nga krimet.

Në këtë grup akuzoheshin 13 persona. Dhjetë prej tyre u dënuan e tre u liruan menjëherë.

Vendimi gjyqësor s’është i formës së prerë dhe mund të apelohet.

Kuqi ka luajtur në nivelin më të lartë të futbollit në Finlandë dhe në rangje më të ulëta. U pensionua në vitin 2018.