Reshat Maliqi, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se në Kosovë trajnimi për policë të rinj duhet të jetë të paktën një vit dhe jo si në sistemin aktual me tre muaj trajnim bazik e më pas në akademi.
Sipas tij, Policia po përballet aktualisht me shumë situata të ndryshme për shkak të mungesës së përvojës te policët e rinj.
“Dikur nga katër vjet shkollimi u kthye në dy. E kur dolën policët në terren u pa dobësia dhe mangësia e tyre e kurrë nuk jemi kthyer më në katërvjeçar. As dy vjet s’mjaftuan që dikush të bëhej polic e të mos flasim tash për tre muaj. Sa mbërrin ai të njoftohet me punën shumë delikate?”, ka thënë Maliqi në emisionin “60 Minuta” në KTV. “Është mirë që trajnimi minimum të jetë një vit. Nëse shohim shtetet tjera, trajnimin bazik e kanë dy vjet. Ne po kënaqemi që po themi se tre muaj zgjat trajnimi bazik në akademi e pastaj edhe një vit trajnimi fushor apo brenda stacionit”.
Nga kjo periudhë, sipas Maliqit, është pak edhe ndarja e orëve për përdorim të armëve.
“Shumë pak orë parashihen për përdorimin e armës, për përdorimin e forcës. Nëse i llogarisim për 3 muaj, sa vikendet, s’janë as 45 ditë aktive trajnim. Ka shumë lëndë që duhet t’i dëgjojnë. Me 4-5 orë apo 10 orë trajnim me gjuajtë me armë, ata as nuk mësohen mirë se si ta mbajnë armën e të mos flasim me e përdorë këtë. Ka pasur raste kur gjatë vendosjes në kallëp kanë ndodhur edhe plagosje”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mungesa e përvojës mund të dëshmohet edhe në rastet në veri, kur Policia gjithmonë kërkon policë me përvojë dhe në rast se duhet ngritje të kapaciteteve, të rinjtë do të mbeten në mëshirë të askujt.
Policia mbetet një prej institucioneve më të besueshme nga qytetarët e Kosovës. Ky institucion sot ka mbushur 26 vjet. Maliqi ka thënë se Policisë i duhet të ketë rritje të kontrollit për etikë policore.