Arbëri

Maliqi: S'bëhet një polic i aftë me 50 orë trajnim, prej tyre vetëm 5 për përdorim të armës

maliqi

Ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi, ka thënë se nuk mund të aftësohet një polic i ri me vetëm 12 javë trajnim.

Siç ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së, policët trajnohen vetëm pesë orë për përdorim të armës nga i gjithë totali i orëve të trajnimit.

“Me këtë gjeneratë përfundon kjo fazë e trajnimit 3-mujor sepse është vërtet shumë e shkurt se nuk ka mundësi... pesë gjeneratat e fundit janë raste të shpeshta që e kanë plagosur veten, familjarët e vetë, duke e vendosë në këllëf revolen ose duke e nxjerrë. Krejt pesë orë i kanë moduli, pesë orë për armë zjarri me u trajnu, çka janë ato. Është shumë pak, afat shumë i shkurt. Kur i llogaritim 12 javë, prej tyre janë 64 ditë pune, duke i llogaritë edhe festa shtetërore nuk dalin 50 ditë trajnim krejt”, ka theksuar ai.


Beka: “Kodi i heshtjes” ekziston edhe në policinë tonë, polici mbron policin

Arbër Beka, udhëheqës i divizionit për bashkëpunim dhe informim në Inspektoratin Policor të Kosovës, ka thënë se edhe në Policinë e Kosovës ekziston “kodi i heshtjes”.

“‘Kodi i heshtjes’ nënkupton kolegu e mbron kolegun në çdo rast, për shkak të shumë orëve që kalojnë bashkë, situatave të rrezikshme që mund t’i kenë kaluar bashkë e shumë e shumë faktorë të tjerë. Sikur në secilën polici të botës, kodi i heshtjes është i pranishëm edhe te ‘Policia e Kosovës’. E vështirëson punën jo vetëm neve, por edhe policisë edhe shtetit”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të mërkurën.

Ai ka marrë shembull rastin e arrestimit të 59 zyrtarëve policorë të njësive të trafikut. Sipas tij, ata ishin arrestuar pas disa muajsh hetimesh, e në asnjërin rast, Inspektorati nuk kishte pranuar informata prej brenda Policisë, edhe pse të 59 zyrtarët kanë qenë në terren me kolegë të tyre.

“Nëse shkon kjo kulturë, kjo hallkë do t’i kushtojë organizatës”, ka thënë Beka.


Gashi: Brutalitet i policëve, joprofesionalizëm dhe tentim për mbulim të provave

Kreshnik Gashi, redaktor në BIRN, ka thënë se policia pasur sjellje brutale dhe joprofesionale në rastin e Agon Zejnullahut në Lipjan të hënën në orët e para.

“Elementi i parë që e shohim nga video dhe materialet që janë publikuar dhe shkresave, shohim një brutalitet policor fillimisht, sjellje joprofesionale në trajtim të personit të arrestuar, e pastaj edhe të një personi në nevojë për ndihmë edhe mjekësore edhe trajtim të tillë”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së të mërkurën.

E sipas Gashit ka pasur edhe tentim për t’i mbuluar provat dhe për të fajësuar viktimën për ngjarjen që ka ndodhur.

Ai ka kritikuar policinë për shtypje në pjesën e qafës, ndërsa ka thënë se në rast ka dështuar edhe dhënia e ndihmës së parë, pasi Zejnullahu është bartur dhe është futur i prangosur në ambulancë, ndonëse me të hyrë është konstatuar vdekja. Gashi ka kujtuar se kur konstatohet vdekja në një vend të ngjarjes, trupi s’duhet të lëvizë për shkak të rrezikut për dëmtim të provave në vend të ngjarjes. Gashi ka thënë se ka vonesë të pashpjegueshme edhe të thirrjes së Inspektoratit policor në vendin e ngjarjes.


Racaj: Rasti në Lipjan, i izoluar - ndaj përgjegjësve do të merren masa

Akrem Racaj, kolonel në Policinë e Kosovës, ka thënë se rasti i vdekjes së Agon Zejnullahut, është rast i izoluar. Ai ka thënë se të gjithë zyrtarët policorë që kanë bërë shkelje në rastin e tij, do të përballen me masa.

Në “Konfront” të KTV-së, Racaj ka thënë se policia e ka parim që ta respektojë dinjitetin, personalitetin, integritetin e çdo personi dhe respektimin e lirisë.

Ai ka lavdëruar programin e trajnimit të Policisë së Kosovës duke e quajtur më të kompletuarin në rajon.

“Rasti që ka ndodhur, është rast i cili ka ndodhur në një moment të caktuar, është rast i izoluar. Pas përfundimit të hetimeve, në aspektin penal, disiplinor, të vlerësimit të përdorimit të forcës, do të nxirren masat të cilat do të ndërmerren. Do të shikojmë strukturën komanduese si ka funksionuar zinxhiri, si ka funksionuar komunikimi, reagimi, pjesa e përdorimit të forcës, koordinimi me institucionet respektive të cilat janë të thirrura të merren me këtë çështje. Ndaj të gjithë atyre që gjinden që kanë shkelur procedurat, s’janë respektuar rregullat e parapara me procedurën e standardeve, udhëzimet apo ligjin për policinë, do të ndërmerren masat”, ka thënë ai.


Gashi: Shkurtimi i kohës së trajnimit të policëve do të na kushtojë

Kreshnik Gashi, redaktor i BIRN, ka thënë se nevojitet rritje enorme e standardeve profesionale brenda Policisë dhe disiplinim strikt i policëve të rinj. Sipas tij, në Polici ka nevojë për llogaridhënie dhe përmirësim të procedurave.

Gashi e ka theksuar si shumë të rëndësishme edukimin e policëve të rinj për sjelljen në çdo rrethanë ku mund të gjenden. Ka shtuar se shkurtimi i trajnimit bazik i policëve ka lënë mundësi për gabime të tyre.

“Në vitet e fundit kemi pasur një shkurtim të trajnim bazik për policët për shkak të situatës në veri, dhe policët e rinj që kanë dalë në terren kanë pasur një kurs shumë më intensiv sesa policët e tjerë që janë trajnuar për një vit dhe kanë pasur trajnimin fushor. Kjo do të reflektojë në sjelljen e policëve, mësimin e policëve, patrullat e policëve. Nuk do të kemi gjithmonë policë që kanë eksperiencë të madhe në terren, por kemi me pasë gjenerata të reja të policëve”, ka thënë ai në “Konfront”.


Maliqi: Raportimi te IPK-ja me 8 orë vonesë, mungesë e disiplinës te zyrtarët policorë

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka thënë se në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, ka mungesë të disiplinës së zyrtarëve policorë. 

Ai ka thënë se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është dashur të lajmërohet menjëherë për rastin dhe jo me 8 orë vonesë. 

“Unë besoj se është fjala për mungesë të disiplinës nga ana e zyrtarëve policorë ... Inspektorati Policor është lajmëruar para orës tetë, e rasti ka ndodhur rreth 15 minuta pas mesnatës, 8 orë me vonesë, 8 orë janë shumë për IPK-në për një rast të rëndë me pasojë vdekjen, të presë derisa të informohet”, ka deklaruar Maliqi në emisionin "Konfront" të KTV-së

Ai ka thënë se është obligim që në raste të tila IPK-ja të lajmërohet menjëherë.

Maliqi ka thënë se është dashur që në këtë rast të informohet i gjithë zinxhiri rekomandues i Policisë.

Sipas tij mënyra si ishte prangosur tanimë i ndjeri, tregon se ka të bëjë më një sulm fizik.

“Veprimet e tyre të mëvonshme gjatë tentimit të prangimit, që shihen që 5 policë janë vërsulur në një person, ndoshta aty ka elemente të dyshimit se mund të ketë momente të tejkalimit të përdorimit të forcës”, është shprehur Maliqi.

Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës. Disa pamje të publikuara kanë shfaqur momentin kur disa policë përpiqen ta arrestojnë. Pas prangosjes ai bëhet i palëvizshëm dhe pas ardhjes së ekipit mjekësor emergjent është konstatuar vdekja e tij. Pesë policët e përfshirë në rast janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia.


Maliqi: Viktima s’dukej se paraqiste rrezik, s’është gjithnjë i domosdoshëm arrestimi

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka thënë se bazuar në videot e publikuara, Agon Zejnullahu nuk është dukur person që ka paraqitur rrezik, në momentin e përballjes me policinë.

Maliqi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Policia në raste kur përballet me njerëz që kanë shfaqur agresivitet për shkak të alkoolit, nuk e ka të domosdoshme të prangosë në çdo rast personin që u reziston urdhrave.

“Nuk është e domosdoshme me çdo kusht të prangoset dhe të përdoret forcë e tepruar me qëllim të arritjes së këtij objektivi sepse në atë fazë nuk dukej se ka paraqitur ndonjë rrezik, kur ka qenë i rrethuar nga policia. Edhe kur ka pasur ankesa tani ai sulm është evituar dhe nuk ka ekzistuar. Ka pas hapësirë për të mundësuar edhe negocim madje”, ka thënë Maliqi.