Arbëri

Ish-drejtori i KEK-ut dyshon se Serbia do ta respektojë marrëveshjen për energjinë

Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, është shprehur skeptik se Serbia do ta respektojë marrëveshjen për energjinë me Kosovën, kryesisht për siç thotë ai, se është çështje puro politike.

Sipas Gjukës, marrëveshja e nënshkruar të martën në Bruksel është e njëjta të cilën e kishin kërkuar në vitin 2012, por që s’ishte realizuar për probleme politike.

“Katër komunat serbët ishin jashtë kontrollit tonë asokohe për shkaqe puro politike, të cilat lidheshin me aspektin e sigurisë. Duhej patjetër të negociohej. Atë që e kemi kërkuar në vitin 2012, e kemi në marrëveshjen e sotme. Kjo marrëveshje është shumë strike, dihen datat, koha. Unë jam pesimist për zbatimin e saj sepse pala serbe do të gjejë arsye për t’i ikur këtyre obligimeve, vetëm për arsye puro politike”, ka thënë Gjuka në “Interaktiv” të KTV-së.

Ish-drejtori i KEK-ut shtoi se përfituesit më të mëdhenj të kësaj marrëveshje janë qytetarët e komunave veriore.

“Përfituesit më të mëdhenj i shoh qytetarët e këtyre komunave pasi do të kenë shërbime më kualitative, më të sigurta dhe të rregulluara me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.

Gjuka tutje tregoi se edhe në të kaluarën një numër simbolik i njerëzve në pjesën veriore kishin paguar rrymën, pasi “ishin detyruar nga KEK-u”.

Dy shtetet miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri. Marrëveshje ishte arritur qysh më 2013, por s’ishte zbatuar. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë. Me marrëveshje parashihet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të lëshojë licencë furnizimi te “Elektroseveri”, i cili do të merret me operimin në katër komunat në veri.