Instituti GAP ka publikuar një analizë “Paraqitja jo e saktë e realizimit të investimeve kapitale të komunave: implikimet në transparencë dhe monitorim”, ku ka ngre shqetësimin se shpenzimet kapitale të komunave s’po pasqyrohen saktë në raportet financiare të Thesarit të Kosovës.
Në këtë analizë thuhet se duke marrë parasysh rritjen drastike të pagesave për obligime gjyqësore dhe përmbarimore në komunat e Kosovës, e që rrjedhin kryesisht nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, Thesari në shumë raste ka ekzekutuar pagesat nga gjitha linjat buxhetore ku ka mjete, përfshirë edhe nga investimet kapitale.
“Problemi qëndron në faktin se këto mjete po paraqiten në raportet financiare si shpenzime për vetë investimet kapitale, duke shtrembëruar nivelin real të realizimit të projekteve publike dhe duke pamundësuar monitorimin e saktë të punëve të komunave”, thuhet nga GAP.
Instituti GAP ka rekomanduar që raportet financiare të Thesarit të përditësohen me kategori të reja që tregojnë saktë shkallën e shpenzimit sipas qëllimit dhe të dallojnë shpenzimet reale për projekte nga pagesat përmbarimore.
“Instituti GAP rekomandon që raportet financiare të Thesarit të përditësohen me kategori të reja që tregojnë saktë shkallën e shpenzimit sipas qëllimit dhe të dallojnë shpenzimet reale për projekte nga pagesat përmbarimore. Gjithashtu, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të rishqyrtojë kriteret minimale në kuadër të rregullave të Grantit të Performancës. Kjo, sepse shumë komuna po diskualifikohen nga përfshirja në Grant për shkak të opinionit jo të favorshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për raportet e tyre financiare, opinion i cili rrjedh kryesisht nga shpenzimet që lidhen me obligimet përmbarimore që burojnë nga kontratat kolektive dhe shtesat e pagave, ndonëse komunat nuk i kanë hartuar ligjet apo kontratat nga të cilat burojnë këto obligime. Konkretisht, nga viti 2024, kriteret minimale nuk po arrijnë të reflektojnë qëllimin thelbësor të Grantit, mbështetjen e komunave me performancë më të mirë, pasi në praktikë ato po favorizojnë vetëm komunat me më pak raste përmbarimore që lidhen me kontratat kolektive”.