Instituti GAP të enjten ka publikuar raportin “Letërnjoftimi i Komunave 2025”, i cili paraqet trendin e zhvillimeve kryesore në 38 komunat e Kosovës, duke përfshirë fusha si demografia, territori, arsimi, mirëqenia sociale, administrata, buxheti, ndërmarrësia, shërbimet publike dhe transparenca.
Në njoftimin e GAP-it thuhet se gjetjet tregojnë ndryshime të theksuara demografike, ekonomike dhe sociale.
“Rënia e përgjithshme e popullsisë, migrimi i brendshëm drejt zonave urbane, numri i lartë i banesave/ndërtesave të pashfrytëzuara, ndryshimet në numrin e nxënësve dhe personelit arsimor, si dhe faktorë tjerë të ngjashëm, reflektojnë ndryshimet e shpërndarjes së banorëve brenda komunave të Kosovës. Ndërkaq, ndonëse vlera e buxhetit të komunave ka shënuar rritje graduale gjatë dekadës së fundit, të hyrat vetanake mbeten të ulëta dhe niveli i borxheve të pambledhura vazhdon të jetë i lartë. Po ashtu, shpenzimet e komunave si pasojë e obligimeve përmbarimore dhe gjyqësore janë dyfishuar vetëm në një vit, duke krijuar presion shtesë mbi financat komunale”, thuhet në njoftim.
Në fushën e ndërmarrësisë, thuhet se komunat e mëdha vazhdojnë të jenë qendra kryesore ekonomike duke gjeneruar pjesën më të madhe të qarkullimit të bizneseve, si dhe regjistrimit të bizneseve të reja.
“Raporti gjithashtu evidenton hendekun gjinor në pozita udhëheqëse në komuna. Përkundër disa përmirësimeve në transparencën buxhetore dhe rritjes së përgjithshme të punësimit, performanca e komunave në fusha kyçe mbetet e ulët. Këto gjetje dëshmojnë nevojën për politika më gjithëpërfshirëse dhe efektive për planifikim më të qëndrueshëm lokal”, thuhet në njoftim.
Ky raport është pjesë e një serie të raporteve të cilat publikohen nga viti 2009 e të cilat ofrojnë të dhëna të krahasueshme ndër vite dhe ndërmjet fushave të ndryshme të nivelit lokal.