Interesim të ulët kanë shfaqur nxënësit e grupmoshave 12-15-vjeçare dhe prindërit e tyre për vaksinim kundër COVID-19 në Komunën e Malishevës.
Ekipi mobil i QKMF-së së Malishevës ka qëndruar të enjten në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Fehmi Agani” në fshatin Turjakë, me qëllim të imunizimit të nxënësve të kësaj shkolle, të cilët kishin dhënë paraprakisht pëlqimin për vaksinim.
Drejtori i kësaj shkolle, Agron Zogaj, ka bërë të ditur për KOHËN se nga gjithsej 77 nxënësit e grupmoshës 12-15-vjeçare, vetëm 28 prej tyre janë pajtuar për vaksinim, së bashku me prindërit e tyre. Ndërkaq gjatë së enjtes janë vaksinuar vetëm 20 syresh, pasi disa që kishin dhënë pëlqimin nuk i kishin me vete numrat personalë të ekstrakteve të lindjes. Atyre u është sugjeruar që gjatë ditëve në vijim të paraqiten për vaksinim në QKMF, me prani të prindërve.
Drejtori Zogaj ka vlerësuar se përgjigjja pozitive e prindërve për vaksinimin e fëmijëve është e ulët, porse është shprehur optimist që ky qëndrim do të ndryshojë.
“Vazhdimisht u kam bërë thirrje prindërve për imunizimin e fëmijëve të tyre përmes vaksinimit dhe i inkurajoj ata që ta bëjnë këtë, pasi kjo shkon në të mirën e tyre”, ka thënë Zogaj për KOHËN.
Edhe
Rreth 200 fëmijë të imunizuar në tërë Kosovën për COVID-19, fluks rastesh me koronavirus
Në SHFMU “Visar Krasniqi” në Drenoc, nga 54 nxënës të klasave 7, 8 dhe 9, gjithsej 19 kanë marrë aprovimin e prindërve të tyre për vaksinim.
Njëri nga prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, i cili nuk e ka pranuar vaksinimin e vajzës së tij që i vijon mësimet e klasës së tetë, ka thënë për KOHËN se i druan ndonjë efekti anësor negativ.
“Për vete i kam marrë të dy dozat e vaksinës, por kur është në pyetje fëmija jam më i kujdesshëm dhe druaj më shumë. Është folur shumë edhe për efekte negative të vaksinës dhe kjo ka bërë që të hezitojë, të kem edhe druajtje e shqetësime”, ka thënë Bekim Krasniqi.
Të dhënat e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Malishevë e konfirmojnë shifrën e ulët të nxënësve të paraqitur për vaksinim kundër COVIUD-19.
Enver Mazreku, zyrtar i lartë i DKA-së në Malishevë, ka bërë të ditur se deri më tani, në tërë territorin e Komunës pro vaksinimit janë deklaruar 1.500 nxënës dhe prindër të tyre. Kjo shifër, sipas Mazrekut, përbën rreth 14 përqindëshin e numrit të përgjithshëm të nxënësve.
Malisheva ka gjithsej 37 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, dhe 3 shkolla të mesme të larta.
Edhe
Në Kosovë janë imunizuar 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18 vjeç
Drejtori i DKA-së në Malishevë, Blerim Thaçi, u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve për vaksinim kundër COVID-19. Ai ka thënë se është përpjekur që të japë edhe një shembull konkret si mesazh për vaksinim, duke e vaksinuar të bijën e tij.
“Po të kishte diçka të keqe nuk do ta vaksinoja vajzën time kurrë. I ftoj të gjithë prindërit dhe nxënësit e moshës së vaksinimit që ta bëjnë këtë, të imunizohen, sepse kjo është vetëm në dobi të tyre”, ka thënë Thaçi.