Arbëri

Intensifikohen komunikimet Kosovë-SHBA për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për dy javë ka biseduar dy herë me zëvendësndihmës sekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar. Nga Qeveria e Kosovës një gjë të tillë e kanë arsyetuar me komunikimin e zakonshëm që kanë me SHBA-në. Për dallim nga SHBA-ja, një të tillë Qeveria e Kosovës nuk e ka edhe me BE-në.

Intensifikim i komunikimeve me SHBA-në është vërejtur javëve të fundit nga Qeveria e Kosovës.

Brenda dy javësh, kryeministri Albin Kurti, ka pasur dy biseda telefonike me zëvendësndihmës sekretarin amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Së fundmi, Kurti ka komunikuar me Escobarin, të premten. E, që sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, është thënë se kanë marrë mbështetjen e SHBA-së për dialogun me Serbinë dhe “që të ketë përparim drejt qëllimit final të tij”.

Por, një bisedë të ngjashme e kishte edhe 14 ditë më parë.

Më 19 nëntor, po ashtu përmes telefonit, Kurti mori mbështetjen e Escobarit për dialogun derisa i premtoi atij përkushtim për siç u tha dialog parimor.

Biseda të shpeshta sikurse këto me zëvendësndihmës sekretarin e SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Kurti nuk ka pasur me zyrtarë të BE-së.

Sipas Augustin Palokajt, nga BE-ja nuk ka ambicie për kthesë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përveç aranzhimit të një takimi deri në fund të këtij muaji.

“Kemi ardhur në një situatë ku së shpejti Miroslav Lajçaku do të shënojë 2-vjetorin e fillimit të mandatit të tij. Kur kishte ardhur kishte thënë se marrëveshja finale është çështje muajsh e jo vitesh, por po shihet se nuk ka përparim në atë drejtim dhe se BE-ja dialogu në vend se të ketë ndonjë përparim drejt marrëveshjes finale është ngulfatur duke diskutuar për çështjet siç janë duke diskutuar për tabelat, ngjitësit në tabela, rryma elektrike dhe gjëra të tjera që janë gjithsesi të rëndësishme, por nuk janë në kuadër të ambicieve që kishin pasur edhe në BE por edhe në bashkësinë ndërkombëtare para se Lajçak të merrte këtë post”.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës, të shtunën i thanë KOHËS se vazhdimisht koordinohen me SHBA-në.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdimisht koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë strategjik. Komunikimi i djeshëm i kryeministrit Kurti me zëvendësndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Escobar, është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm dhe bashkëpunimit të rregullt që Qeveria e Republikës së Kosovës ka me administratën amerikane. Gjatë kësaj bisede telefonike është diskutuar edhe rreth bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim dhe mirëpret çdo angazhim të Qeverisë amerikane në dialog, drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme në qendër të së cilës është njohja reciproke”, ka thënë Rozafë Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë.

Në anën tjetër, dallimet mes palëve për çështjet e caktuara, e ndryshimin e dialogut ashtu siç është proklamuar nga kryeministri Kurti, sipas Visar Ymerit, janë vështirë të arritshme pa përkrahjen e ndërkombëtarëve.

“Kemi një përplasje të mendimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe ndërmjetësuesit për sa i përket procesit të dialogut, e siç ne e dimë në procesin e dialogut nuk mundesh me ndryshuar nëse nuk ki përkrahje nga miqtë tanë ndërkombëtarë”, është shprehur ish-deputeti Ymeri.

Lidhur me komunikimet e ditëve të fundit me kryeministrin Albin Kurti, KOHA ka pyetur edhe në Ambasadën amerikane, por nuk ka marrë përgjigje.