Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Zbulim i ri mjekësor jep shpresë për pacientët me sëmundjen e rrallë si Celine Dion

Celine Dion

Celine Dion

Foto: Associated Press

Një zbulim i ri në fushën e mjekësisë po ngjall shpresë për personat që vuajnë nga sindroma e personit të ngurtë (SPS), sëmundja e rrallë autoimune që ngurtëson muskujt, me të cilën është diagnostikuar edhe këngëtarja e njohur Celine Dion, ka shkruar The Guardian.

Sëmundja prek sistemin nervor qendror dhe shkakton ngurtësim të muskujve në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe spazma të forta e të dhimbshme. Deri më sot, nuk ekziston një kurë përfundimtare.

Megjithatë, një ekip neurologësh në klinikën Mayo në SHBA ka raportuar rezultate shumë premtuese nga një trajtim eksperimental i quajtur terapia me qeliza CAR-T.

Kjo metodë, e përdorur fillimisht për trajtimin e disa llojeve të kancerit, funksionon duke marrë qelizat imunitare të vetë pacientit dhe duke i modifikuar në laborator, në mënyrë që të luftojnë qelizat përgjegjëse për sëmundjen.

Rezultatet e studimit, të publikuara në revistën mjekësore JAMA Neurology, tregojnë se disa pacientë kanë përjetuar përmirësime të dukshme. Persona që më parë kishin vështirësi edhe në ecje apo në kryerjen e veprimeve më të thjeshta, kanë rifituar pavarësinë dhe disa janë kthyer në punë dhe në aktivitetet e tyre të preferuara.

Pacientët tregojnë përmirësimet

Një prej pjesëmarrësve në studim, Jonathan Walden, kishte arritur në pikën ku kishte nevojë për ndihmën e familjarëve për të ecur dhe për të kryer detyrat e përditshme. Pas trajtimit, ai është kthyer në punë.

“Tani mund të shkoj në punë çdo ditë. Mund të bëj gjithçka që bëja më parë. Shkoj për gjueti dhe për peshkim. Që kur mora trajtimin, nuk kam pasur asnjë episod”, ka treguar ai.

Edhe pacientja tjetër, Shari St Germain, e cila vuante nga ngërçe të forta në këmbë, vështirësi në ecje dhe rrëzime, ka përjetuar përmirësime të mëdha.

“Një ditë, pas trajtimit, u ngrita dhe ndihesha shumë mirë. Vendosa të ecja në pistën e vrapimit për shtatë minuta. Bashkëshorti im erdhi me vrap, sepse po qaja. Më pyeti nëse isha mirë. I thashë se thjesht kisha arritur të ecja për shtatë minuta”, ka rrëfyer ajo.

Neurologia Anastasia Zekeridou nga klinika Mayo i cilësoi rezultatet si shumë inkurajuese.

“Ajo që na bëri më shumë përshtypje ishte shkalla e përmirësimit te disa pacientë. Me trajtimet ekzistuese mund të lehtësojmë simptomat, por rrallë shohim pacientë që rikthehen në nivelin e mëparshëm të funksionimit”, u shpreh ajo.

Megjithatë, mjekët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar nëse këto përmirësime do të zgjasin në kohë dhe sa e sigurt dhe efektive është terapia për një numër më të madh pacientësh.

Shpresë edhe për sëmundje të tjera

Drejtuesi i departamentit të neurologjisë në klinikën Mayo, Sean Pittock, ka theksuar se terapia CAR-T mund të hapë rrugën për trajtime të reja edhe për sëmundje të tjera autoimune që prekin sistemin nervor.

“Këto rezultate japin shpresë të madhe jo vetëm për personat që vuajnë nga sindroma e personit të ngurtë, por edhe për pacientët me sëmundje të tjera neurologjike autoimune, për të cilët mundësitë e trajtimit janë ende të kufizuara”, ka deklaruar ai.

Celine Dion e bëri publike diagnozën e saj në muajin dhjetor të vitit 2022. Në një video drejtuar fansave, këngëtarja tregoi se sëmundja kishte ndikuar në çdo aspekt të jetës së saj të përditshme, përfshirë edhe aftësinë për të kënduar.

Edhe pse terapia e re është ende në fazë studimi dhe nuk përbën një kurë të konfirmuar, rezultatet e para konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt trajtimeve më efektive për këtë sëmundje të rrallë.