Rrjeti arsimor në gjuhën serbe nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës dhe shkollat vazhdojnë të punojnë me kurrikulën e Serbisë e tekste me narrativa kundër Kosovës. Në Qeverinë e Kosovës nuk treguan nëse ka pasur një vlerësim tjetër të teksteve në gjuhën serbe, pas atij të bërë në vitin 2010, ku ishte konstatuar se ato bien ndesh me Kushtetutën. Organizata që janë marrë me këtë çështje e kanë përmendur modelin gjermano-danez, i cili do të mund të aplikohej edhe në Kosovë
Arsimi paralel në gjuhën serbe në Kosovë po shihet si çështje komplekse, e cila nuk mund të adresohet pa vullnetin e të gjitha palëve të përfshira, thonë njohës të kësaj fushe. Kjo çështje rikthehet sa herë që ka zhvillime te sektorët e tjerë në veri që mirëmbahen nga Beogradi, shumë prej të cilëve janë mbyllur nga Qeveria aktuale.
Rrjeti arsimor në gjuhën serbe nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës dhe shkollat vazhdojnë të punojnë me kurrikulën e Serbisë. Qendra Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI) është ndër organizatat e cila ka analizuar mësimin në gjuhën serbe dhe ka shtjelluar modalitetet që do të mund të aplikoheshin në rastin e Kosovës. Adrian Zeqiri, drejtor ekzekutiv në ECMI, thotë se përpjekjet e deritashme nuk kanë qenë të mjaftueshme për adresimin e kësaj çështjeje.
“Çështja e arsimit është sensitive, është një ndër të drejtat fondamentale të njeriut. Edhe është e vështirë të ndërmarrësh hapa në arsim pa shkel ose pa rreziku integritetin e procesit arsimor. Janë përdorë disa hapa. Më kujtohet para një dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetëve ka qenë që punëtorët arsimorë që punonin në arsimin në gjuhën serbe në Republikën e Kosovës paguheshin edhe prej Ministrisë së Arsimit. Kjo i binte, që t’i merrni dy rroga: edhe prej Ministrisë së Arsimit të Serbisë, edhe prej Ministrisë së Arsimit.. Mandej kjo u pati ndërprerë. Tani nuk ka ndonjë hap për sa i përket adresimit të çështjes së arsimit në gjuhën serbe në Republikën e Kosovës. Pse s'ka, është sepse duhet të ekzistojë një vullnet prej dy palëve se si të adresohen”, ka thënë Zeqiri.
Dallimet mes dy sistemeve
Sipas analizës që ka bërë ECMI, ka dallime thelbësore mes sistemit arsimor të Kosovës dhe atij të Serbisë.
“Ata (Serbia) funksionojnë me katër plus katër, tre plus një e tre plus dy- domethënë sistemi i transferit të krediteve është i ndryshëm prej asaj që përdor Republika e Kosovës. Jemi mundu që të gjejmë mundësi që Republika e Kosovës të jetë e përgatitur për një ofertë serioze për integrimin e sistemit arsimor serb në kuadër të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës. Mirëpo, edhe një herë, për të gjendur një zgjidhje të çështjes së sistemit arsimor duhet të ketë vullnet të dyanshëm edhe prej palës serbe, edhe prej palës kosovare. Fatkeqësisht deri tash nuk e kemi parë këtë vullnet”, ka thënë ai.
Sipas Zeqirit, ka pasur disa përpjekje prej Qeverisë së Kosovës, por jo thelbësore që të bëhet një ofertë serioze se si në kuadër të të drejtave kushtetuese që i garantohen komunitetit serb në Republikën e Kosovës, të integrohet në kuadër të sistemit kosovar.
“Gjithashtu, ka pasur një refuzim të plotë prej komunitetit serb që të ketë dialog për sa i përket kësaj çështjeje. Duke qenë që procesi arsimor dhe arsimi është shumë sensitiv e këtë më shumti e dinë shqiptarët e Kosovës të cilët kanë qenë viktimë gjatë viteve ‘90, të një diskriminimi të ashpër në procesin e arsimit, sigurisht se ka një kuptim për kompleksitetin e situatës dhe se nuk shfrytëzohet për çështje të diskutimit politik derisa të vijë një moment i caktuar. Në një rast të caktuar kur të zgjidhen disa çështje të tjera mes Kosovës dhe Serbisë, mandej ndoshta do t'i vijë rendi edhe arsimit, mirëpo për momentin nuk është në ndonjë agjendë të lartë”, ka potencuar ai. 
Arsimi dhe shëndetësia konsiderohen ndër sektorët më të mëdhenj që ende operojnë me sistem të Serbisë. Për sektorin e shëndetësisë, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha së fundi se po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje për integrimin e tyre brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Por nga zyra e tij nuk kanë treguar për zgjidhjet që janë duke i shtjelluar sa i përket arsimit paralel. Sqarime nuk kanë ofruar as nga Ministria e Arsimit.
E në dokumentin e hartuar nga kjo ministri-Strategjia e Arsimit 2022-2026 theksohet bashkëpunimi me ndërkombëtarët në adresimin e kësaj çështjeje.
“Shkollat me mësim në gjuhën serbe në Kosovë vazhdojnë të operojnë jashtë sistemit kosovar të arsimit, përkundër faktit se legjislacioni aktual ofron mundësi të mëdha për akomodimin e nevojave specifike të komunitetit serb. Republika e Kosovës do t’i vazhdojë përpjekjet aktuale për integrimin e komunitetit serb me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Masat e Strategjisë së Arsimit u përshtaten të gjitha komuniteteve, por nëse, në një fazë të mëvonshme, paraqitet nevoja për adresimin e çështjeve specifike që kanë të bëjnë me integrimin e komunitetit serb, MASHTI do të bëj përpjekje t’i akomodojë ato në planet vjetore të veprimit”, shkruan në strategji.
Në shtatorin e vitit të kaluar, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, kishte deklaruar se institucionet arsimore dhe shëndetësore në veri, që funksionojnë sipas sistemit serb, aktualisht nuk kërcënohen nga mbyllja e mundshme, por kishte paralajmëruar se serbët e Kosovës duhet të jenë të gatshëm për një skenar që nuk do të na pëlqejë.
Tekstet që shtrembërojnë faktet
E, tekstet të cilat përdoren në shkollat serbe në Kosovë kanë përmbajtje të njëanshme për luftën e fundit, si dhe përmbajnë shtrembërime të fakteve që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Në librin e historisë së klasës së tetë, i cili është i bazuar në planprogramin e Serbisë, lufta në Kosovë nisi nga ngjarjet në fund të shkurtit në Likoshan dhe më 5 mars 1998, kur, siç thuhet në tekst, u likuidua udhëheqësi i parë i UÇK-së, Adem Jashari.
“Kriza në Kosovë e Metohi - Situata në Kosovë e Metohi u bë tepër e ashpër. Të tilla e bënë aksionet e çdoditshme të grupeve terroriste shqiptare, e quajtur ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’, që grabisnin e përlesheshin me forcat e rendit (Policinë dhe ushtrinë)”, thuhet në këtë libër.
Masakrave të kryera nga forcat paramilitare serbe ndaj civilëve shqiptarë në tekste shkollore iu referohen si luftëra të vështira, ku Ushtria Jugosllave e pati të domosdoshme të neutralizonte situatën.
Në tekst thuhet se sulmi i NATO-s në Serbi u realizua pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, me shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe se ishte agresion ndaj një vendi si Serbia. Tutje thuhet se këtë fakt “zyrtarët amerikanë kurrë s’e mohuan”.
Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ministria e Arsimit përmes Agjencisë së Kosovës për Kurrikulum, Standarde dhe Vlerësim, harton Kornizën e Kurrikulumit.
Deri më tash shkollat në gjuhën serbe kanë funksionuar me planprogram të Serbisë, për shkak se u lejohet me Planin e Ahtisarit. Mirëpo në Pakon e Ahtisaarit theksohet se Ministria e Arsimit ka të drejtë t’i vlerësojë tekstet shkollore, të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën.
Vlerësimet e mëhershme
Vetëm në vitin 2010 është bërë një vlerësim i teksteve nga Ministria, ku në gjetjet e raportit të Komisionit të Pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe është theksuar se ato bien ndesh me Kushtetutën, pasi shkelin parimet e barazisë etnike.
“Në vitin 2011 është realizuar një hulumtim i plotë i kurrikulës dhe i teksteve shkollore, ku unë dhe organizata ime e kemi fasilituar procesin. Kemi pas dalë me një raport, mirëpo nuk ka pasur mandej hapa lidhur me integrimin që lidhet me situatën e arsimit në gjuhën serbe në Republikën e Kosovës. Kështu që ky proces ka mbetur si i tillë”, ka theksuar Zeqiri.
Aktualisht sipas Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, shkollat që japin mësim në gjuhën serbe mund të aplikojnë kurrikulë apo tekste mësimore të përgatitura nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Serbisë pas njoftimit dhe autorizimit të Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Kjo përfshin bashkëpunimin me institucionet serbe dhe pranimin e asistencës së tyre financiare.
Modeli që Kosova do të mund ta aplikonte
Adrian Zeqiri, drejtor ekzekutiv në ECMI ka përmendur modelin gjermano-danez, i cili do të duhej të konsiderohej në rastin e Kosovës.
“Selia e organizatës sime është në Flensburg të Gjermanisë. Është një qytet kufitar në mes Danimarkës dhe Gjermanisë. Ka minoritet gjerman në pjesën daneze dhe ka minoritet danez në pjesën gjermane. Zgjidhja e cila është bërë për çështje të arsimit në këtë rajon kufitar është shumë interesante dhe mendoj se kjo do të ishte njëra ndër mënyrat, normalisht me specifikat e Kosovës, pasi asnjë model nuk mund të replikohet në mënyrë të plotë. Mirëpo duke iu përshtatur specifikave të Kosovës dhe Serbisë, mendoj se do të ishte zgjidhje e mirë. Shkurtimisht është që menaxhimi i shkollave atje bëhet nëpërmes shoqatave arsimore në dy anët e kufirit, të cilat udhëhiqen prej atij komuniteti dhe se diplomimi i nxënësve bëhet duke i marrë në të njëjtën kohë dy diploma. Edhe diploma valide për Danimarkë, edhe diploma valide për sistemin gjerman”, ka deklaruar Zeqiri.
“Atje janë disa klasë shtesë për studentë dhe këto klasë shtesë mandej e mundësojnë marrjen e dy diplomave që realisht i bie një diplomë, por që i përmbush kërkesat akademike dhe të krediteve të Gjermanisë, në të njëjtën kohë i përmbush kërkesat akademike - krediteve të Danimarkës. Mendoj se ka zgjidhje kreative, normalisht kjo do të duhej të vinte me një kuptim të të dyja palëve që arsimi është një e drejtë fondamentale dhe se kjo çështje duhet të adresohet me kompleksitetin e duhur të njerëzve që merren me këtë çështje”. 
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në Kosovë aktualisht janë 131 shkolla që punojnë me planprogram të Serbisë.