Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Instituti “Musine Kokalari”: Qeveria të distancohet nga gjuha seksiste e Bislimit

Instituti “Musine Kokalari” i ka kërkuar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi të tërhiqet nga deklarata ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, të cilës iu deklarua me fjalët “është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike”.

Ky institut e ka cilësuar këtë gjuhë si seksiste dhe ka kërkuar nga Qeveria të distancohet.

“Një gjuhë e tillë përveç se mbulon mungesën e argumenteve, ravijëzon një pasqyrë jashtëzakonisht problematike për gratë e angazhuara politikisht. Bislimi duket ta ketë përdorur këtë terminologji duke e përkthyer termin ‘attention whore’ nga anglishtja. Pra ‘kurvë vëmendjeje’. Theksi këtu duhet vënë te termi kurvë. Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala epsh ka konotacion ekskluzivisht seksual. Sipas përkufizimit epshi është ‘Dëshirë e madhe për të plotësuar kënaqësitë trupore, zjarr i madh i mishit e i gjakut’. Rrjedhimisht askush nuk mund të ketë epsh për angazhim në politikë apo edhe për vëmendje, përveç për plotësimin e kënaqësive trupore seksualisht”, thuhet në reagimin e institutit “Musine Kokalari”.

Ky institut e ka vlerësuar këtë reagim të Bislimit si denigrim të gruas në publik dhe investim në paragjykimet patriarkale.

“Gruaja e angazhuar publikisht shihet me dyshim. Gati se si e përdalë. Kështu po e shihka edhe Besnik Bislimi. Ta mendosh se ky është zëvendës kryeministër i Qeverisë së Republikës. Ta mendosh se kjo është e deklaruar si Qeveri progresive që vjen nga një parti deklarativisht socialdemokrate (që si për ironi sapo kanë përfunduar aktivitetet tradicionale ‘Marsi sjell pranverën GRATË BARAZINË’). Ta mendosh që z. Bislimi është pedagog, pra që do të duhej të shpërndajë dije tek studentët”, thuhet më tej në reagim.

Instituti “Musine Kokalari” i ka kërkuar Bislimit të tërhiqet nga “sulmet e ofendimet me bazë gjinore”.

Edhe Çitaku kritikon Bislimin për “kërcënim të BE-së”: Gjuha e tij, e dëmshme dhe e rrezikshme Arbëri Çitaku kritikon Bislimin për “kërcënim të BE-së”: Gjuha e tij, e dëmshme dhe e rrezikshme

“Kërkojmë nga qeveria e Kryeministri që po ashtu të tërhiqen nga kjo gjuhë seksiste. Kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që të jetë më i vendosur në dënimin e përdorimit të gjuhës së tillë në seancat e Kuvendit. Një prej çështjeve shqetësuese në Kosovë që po zë vend edhe në raportet ndërkombëtare për Kosovës është rritja e dhunës ndaj gruas. Edhe përdorimi i kësaj gjuhe klasifikohet si dhunë ndaj gruas. Prandaj ndaluni!” përfundon reagimi.