Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi, në kohën e pyetjeve parlamentare në seancën e së enjtes, ka kërkuar dorëheqjen kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.
Ajo e ka lëshuar një deklaratë të Bislimit, dhënë në një intervistë të mëhershme, ku ai dëgjohet duke thënë se nëse Qeveria e ndryshon qëndrimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë ai nuk është pjesë e dialogut.
“Zotëri Bislimi meqë injoranca, ofendimet, gënjeshtrat janë argumentet tua me të fuqishme sot kam vendosur që të ballafaqoj me veten dhe pres qëndrimin tënd: ‘Në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për asociacion edhe sot do të krijohet Asociacion, qoftë edhe me kompetenca joekzekutive, Besnik Bislimi nuk është në dialog, ndoshta dikush tjetër vjen e bën’ (deklarata e Bislimit v.j.). Cili është qëndrimi juaj sot?”, ka pyetur Musliu-Shoshi.
Asaj i është përgjigjur Bislimi duke i thënë se është mirë që intervistat e tij të dëgjohen të plota dhe të mos shkëputen në pjesë.
“E nderuara deputetet Musliu-Shoshi, faleminderit për pyetjen dhe për kujdesin mamskimal që të përcillni çdo detaj të intervistave të mia në vazhdimësi. Po ashtu është i pakuptimtë epshi i juaj për të marrë vëmendje publike por është e parëndësishme. Është mirë ku përcjell intervista me përcjell intervista. Jo fjalinë. Në të njëjtën intervistë që i referohesh thuhet si vijon. Për çështjen e minoriteteve do të diskutojmë atëherë kur sovraniteti, integriteti territorial e funksionaliteti i Kosovës nuk është në pikëpyetje. Asnjë prej këtyre pyetjeve nuk është përmbushur. Deklarata 23 qershorit 2022. Deputete e nderuar merre marrëveshjen e Brukselit të datës 27 shkurt, e nxirre konstatimin për atë se a vihet në pikëpyetje sovraniteti territorial, a kemi marrëveshje formale me Serbinë dhe çka thuhet për funksionalitetin e Kosovës”, ka theksuar Bislimi.
Pas kësaj deputetja e PDK-së, ia ka lëshuar Bislimit një deklaratë të kryeministrit, Albin Kurti, të cilit ajo i referohet si “luani yt”, e ku ai dëgjohet duke thënë se “ka Asociacion”.
“E thashë që ofendimet i ki argumentet më të forma po me mua nuk të shkojnë zëvendëskryeministër. Përgjigjen ta jep luani yt apo kryeministri yt. ‘Ka Asociacion, neni dhjetë thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara’ (deklarata e Kurtit v.j.). Tash pyetja ime është kur po jep dorëheqje se më nuk ke kredibilitet me qenë kryenegociator”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Asaj nuk i është përgjigjur Bislimi.