9 maji shënon fundin e maratonës 6-javëshe, kur institucionet shtetërore pushuan secilën të hënë me rastin e festave zyrtare.
Që nga 9 prilli, për një muaj rresht dita e parë e javës ishte ditë pushimi, ndonëse jo gjithherë e njëjta ishte ditë feste.
Kësisoj zyrtarët shtetërorë për gjashtë javë kishin vikend të zgjatur.
Përveç Ditës së Evropës, që të gjitha festat e tjera ishin në ditë vikendi, por që sipas Ligjit për Festat Zyrtare, pushimi për të njëjtat bartet në ditë pune.
Këtë praktikë pushimesh e kritikuan qytetarët.
“Ndoshta është edhe e nevojshme, por megjithatë, kur punohet gjithkund duhet të punohet edhe te ne. Ky është mendimi im, pa lënduar askënd”, thotë qytetarja Qefsere Shabani.
“Me rregull duhet të punohet. Gjashtë të hëna pushim shumë është, tepër është”, thotë qytetari Blerim Halili.
Disa prej tyre konsideruan që Kosova nuk e ka luksin për pushime të këtilla dhe shtruan nevojën që edhe të shtunave të punohet.
“Nëse qeveritarëve u duket që është e arsyeshme ata le të mbajnë për veti arsyen, por duke pas parasysh zhvillimin ekonomik, dhe jetën sociale qysh e kemi na, unë qysh e kemi unë nuk e shoh të arsyeshme me u bart festat nëse është në ditë vikendi. Bile është mirë edhe e shtuna të punohet, të jetë veç një ditë për të ardhur në ngritje pak më të mirë ekonomike, për të mundur të festojmë masandej”, thotë qytetari Bahri Rashiti.
“Po më duken pushime të tepërta, sikurse duan t`i ikin punës veç qysh me gjet një rast t’i iket punës. Duhet të punojmë, sepse pa punë dhe të gjithë njerëzit që kanë punuar për këtë kohë kur jemi, duke filluar prej Adem Jashari e Ibrahim Rugovës nuk kanë thënë të mos punohet, por kanë thënë se duhet të punohet. E ne sikur t’i shkelim ato fjalët e tyre”, thotë qytetari Vesel Veseli.
Deri në fund të vitit, sipas kalendarit të festave zyrtare janë edhe dy sosh – ajo e Kurban Bajramit dhe Krishtlindja Katolike. Të dyja janë në ditë vikendi, por pushimi do të bartet në ditë pune.
Heqjen e disa festave zyrtare dhe ndalimin e pushimit për to nga fundjava në ditë pune, e kanë kërkuar disa herë deputetë të partive në Kuvend. Ndryshimet ligjore për këtë janë në proces, por ende nuk janë vënë për shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.